Autoriteti i Konkurrencës nis kontrolle për rritjen e çmimit të bukës në Korçë

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione në media në lidhje me njoftimin e ndërmarrjeve të prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës, të cilat kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes se çmimi i shitjes së bukës nga 120 lekë do të jetë 150 lekë, duke reflektuar një rritje të njëkohshme me mbi 25%, ngriti menjëherë një Grup Pune për monitorimin e këtij tregu.
Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



