Balla: Sa herë Kosova ka nevojë për Shqipërinë, Berisha thërret sulm ndaj institucioneve

Politikë | 34 minuta më parë

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha se po përdor zhvillimet në Kosovë për të sulmuar institucionet demokratike në Shqipëri.

Duke folur në seancën e sotme parlamentare, Balla u ndal te marrëdhëniet mes dy vendeve dhe theksoi se kjo situatë nuk është e re.

“Nuk është asnjëherë rastësi, që nga Rambujeja e deri më sot, sa herë Kosova ka halle dhe nevojë për Shqipërinë, Saliu thërret sulm kundër institucioneve demokratike të Shqipërisë”, deklaroi Balla.

Ai i bëri thirrje opozitës që të mos përsërisë skenarët e vitit 2019, kur Partia Demokratike braktisi Kuvendin dhe zgjedhjet, duke paralajmëruar se vendime të tilla dëmtojnë funksionimin demokratik të vendit.

Balla theksoi se në një moment kur Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, politika shqiptare duhet të flasë me një zë të përbashkët.

“Mos harroni që sot më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria, ka nevojë për një zë të përbashkët”, tha ai.

Balla solli në vëmendje edhe për reformën administrative-territoriale, reformën zgjedhore dhe procesin e integrimit europian. Ai kërkoi bashkëpunim nga opozita për përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Balla deklaroi se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka afat deri në fund të nëntorit dhe theksoi se reforma duhet të bëhet me pjesëmarrjen e opozitës, por pa lejuar bllokimin e procesit të integrimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme