Begaj pret në takim kreun e komanduar të SHISH, ministrin Demo dhe kreun e Policisë së Shtetit

Aktualitet | 36 minuta më parë

Presidenti Bajram Begaj ka pritur sot në takim Ministrin e Brendshëm Ervin Demo, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe Drejtorin e omanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Elvis Lila.

Sipas njoftimit nga Presidenca bëhet me dije se në fokus të takimit ishin çështjet e aktualitetit.

Ky takim vjen një ditë pas shkarkimit nga detyra e kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe komandimit në krye të këtij institucioni të Elvis Lilës.

“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në takim Ministrin e Brendshëm, z. Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Skënder Hita, si dhe Drejtorin e komanduar të SHISH-it, z. Elvis Lila. Në këto takime, Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit.”, thuhet në njoftim.

Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni u shkarkua nga detyra pas akuzave të SPAK për shpërndarje të informacioneve sekrete shtetërore. Ajo ndodhet në masën “arrest shtëpie”, ndërsa rëndojnë akuzat, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, si dhe “Përkrahje e autorit të krimit”. Hyseni u paraqit këtë të enjte (24 shtator) në GJKKO, ndërkohë më herët Gjykata e Posaçme la në burg Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në një lokal.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme