Berisha fton qytetarët në protestë: Të bashkohemi për të firmosur fitoren e së ardhmes

Politikë | 9 muaj më parë

Kryedemokrati Sali Berisha ka ftuar qytetarët në protestën kombëtare të orës 18:00 që do të mbajë para Kryeministrisë.

Ai u ka bërë thirrje atyre për t’iu bashkuar opozitarëve që të firmosin së bashku fitores e së ardhmes.

Ai thekson se e sotmja është dita e historisë, jo vetëm e 20 shkurtit të vitit 1991, por po kaq e 20 shkurtit të vitit 2026.

“Sot është dita e historisë, jo vetëm e 20 shkurtit të vitit 1991, por po kaq e 20 shkurtit të vitit 2026. 20 shkurti i vitit 1991 solli pranverën e demokracisë. Solli çlirimin e Shqipërisë nga kulti më mizor që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre.

20 shkurti i vitit 2026 do të sjellë pranverën e re, do të sjellë përmbysjen e hajdutit më të keq, më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre.

Ndaj dhe jam këtu për të ftuar çdo qytetar shqiptar, çdo opozitar, qytetarë të të gjitha bindjeve, të të gjitha besimeve, pavarësisht se çfarë mendimesh, opinionesh, kritikash, pakënaqësirash, objeksionesh që mund të kemi për njëri-tjetrin, të bashkohemi të gjithë kundër kësaj të keqe që po shterron lëndën tonë kombëtare, kombin tonë.

Sot është një ditë që çdo qytetar të shprehë zemërimin e tij në sheshin e dinjitetit, e guximit, e misionit.

Ndaj dhe edhe njëherë, ftesa ime për mbarë shqiptarët, në një uragan të fuqishëm që Tirana nuk e ka parë nga viti 1991, të bashkohemi për të firmosur së bashku fundin e këtij regjimi dhe fitoren e të ardhmes tonë”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit sqaroi se protesta kombëtare do të jetë paqësore, ndërsa theksoi se në protestën e 10 shkurtit ishte policia ajo e cila hodhi mjete piroteknike kundër opozitës.

“Për sa i përket asaj që thonë ata, rendin, protesta është paqësore. Ne organizojmë vetëm protesta paqësore. Dhe ne e kemi platformë këtë, se po të mos donim ne, nuk thoshim ne protestë paqësore.

E keni dëgjuar në takime, më thonë pse thua paqësore. E them se e kemi platformë atë, e kam bindje, ne jemi opozitë demokratike. Protestën e fundit ishte policia që hidhte mjete piroteknike kundër opozitës. U kap me filma ajo. Ne kemi protesë paqësore. Kjo është”, përfundoi ai.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme