Beteja me flakët, Ministria e Mbrojtjes përditëson situatën e zjarreve, 5 vatra mbeten aktive

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një përditësim zyrtar mbi situatën e zjarreve në të gjithë territorin e vendit, duke pasqyruar gjendjen deri në orën 20:00 të mbrëmjes së 19 gushtit 2026. Sipas raportimeve të fundit, autoritetet po menaxhojnë 7 vatra zjarri në total, nga të cilat 5 mbeten ende aktive, ndërsa 2 të tjera janë sjellë nën kontroll dhe po mbahen nën monitorim të rreptë.

Për të përballuar emergjencat dhe për të shmangur përshkallëzimin e flakëve, është ngritur një operacion i gjerë i cili përfshin rreth 130 forca operacionale vendore. Këto të fundit po mbështeten fuqimisht nga Forcat e Armatosura, të cilat kanë zbritur në terren 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri.

Zonat e prekura dhe ndërhyrjet në terren

Vatrat kryesore aktive janë identifikuar në Dajt dhe Priskë (Tiranë), në Lufaj (Mirditë), në Tërbun–Gojan (Pukë) dhe në Shashicë (Selenicë).

Në Parkun Kombëtar të Dajtit po zhvillohet një operacion masiv ku janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura (FA), 15 forca të zjarrfikësve (MZSH) dhe 5 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (AZM). Paralelisht, në Priskë vijojnë të jenë të pranishme forcat zjarrfikëse. Ministria e Mbrojtjes theksoi se “në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara”, duke qetësuar banorët e kryeqytetit dhe rrethinave.

Gjendja vlerësohet e qetë edhe në Lufaj të Mirditës, ku vatra mbetet aktive por me intensitet të ulët, e menaxhuar nga Shërbimi Pyjor dhe zjarrfikësit, pa përbërë asnjë rrezik për shtëpitë.

Pika më kritike dhe zjarret e izoluara

Situata më e ndërlikuar po regjistrohet në veri të vendit. Autoritetet bëjnë me dije se “situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun–Gojan, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit”. Përballë këtij rreziku, “forcat operacionale vijojnë punën në terren dhe MZSH është përqendruar në mbrojtjen e banesave”. Fatmirësisht, edhe në këtë vatër, aktualisht nuk raportohet për rrezik ndaj zonave të populluara.

Ndërkohë, lajme pozitive vijnë nga fronte të tjera. Në zonën e Gurë-Lurës zjarri është shuar plotësisht dhe zona po mbahet nën vëzhgim për të parandaluar riaktivizimin. Po ashtu, në Qafë Helmes flakët janë izoluar dhe forcat lokale po vijojnë operacionet për fikjen përfundimtare. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në koordinim të plotë, duke pasur si objektiv parësor sigurinë e qytetarëve dhe aseteve të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme