Betohet presidenti i ri i Iranit, Masud Pezeshkian

Masud Pezeshkian është betuar si president i ri i Iranit në Parlament pasi fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në fillim të këtij muaji.
“Unë, si president, përballë kuranit të shenjtë dhe popullit të Iranit, betohem në Zotin e madhërishëm, se do të jem gardian i fesë zyrtare dhe sistemit të Republikës Islamike dhe i Kushtetutës së vendit”, tha Pezeshkian gjatë ceremonisë së betimit.
Pezeshkian, ish-kirurg arriti të fitojë ndaj kundërshtarit të tij untranacionalist, Saeed Jalili, në balotazhin e 5 korrikut, duke i fituar gati 54 për qind të votave.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi presidenti i linjës së ashpër, Ebrahim Raisi gjeti vdekjen nga rrëzimi i helikopterit në muajin maj.
Ceremonia e inaugurimit u ndoq nga zyrtarët e lartë të vendeve si Armenia, Taxhikistani, Azerbajxhani, Egjipti, Sudani, Iraku, Turqia, Arabia Saudite, Kuba dhe Brazili.
Në këtë ceremoni mori pjesë gjithashtu, i dërguari i Bashkimit Evropian, Enrique Mora.
Aleatët rajonalë të mbështetur nga Irani ishin gjithashtu në Teheran, si lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh dhe kreu i Xhihadit Islamik Palestinez, Ziyad al-Nakhalah.
Të dy grupet janë cilësuar si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Hezbollahu i Libanit dhe rebelët huthi të Jemenit dërguan gjithashtu përfaqësues.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



