Bien sërish sirenat e sulmit ajror në bazën ushtarake britanike në Qipro, kapen me sukses dy dronë. Greqia dërgon dy fregata dhe F16

Një sulm i dytë ajror ka ndodhur mbi bazën ushtarake britanike në Qipro, sipas qeverisë qipriote.
Dy dronë pa pilot që shkonin drejt RAF Akrotiri janë “kapur me sukses”, tha një zëdhënës i qeverisë, raporton Sky News.
Rreth mesditës, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në bazë, e cila u sulmua nga dronë iranianë që synonin pistën gjatë natës.
Baza britanike është evakuuar, ashtu si edhe aeroporti i Pafos. Një mesazh i dërguar punonjësve paralajmëroi për një “kërcënim të vazhdueshëm sigurie” dhe u bëri thirrje njerëzve të kthehen në shtëpi dhe të qëndrojnë brenda deri në njoftim të mëtejshëm. “Qëndroni larg dritareve dhe strehohuni pas ose nën mobilje të forta. Ju lutemi prisni udhëzime të mëtejshme”, thuhej në alarm.

Sipas informacionit të marrë, ministri i brendshëm qipriot ka udhëzuar kryetarin e bashkisë së Kourion, pranë bazës së Mbretërisë së Bashkuar, të vazhdojë me një evakuim të detyrueshëm. Ndërkohë, media qipriote raporton se një alarm u ngrit në Aeroportin e Pafos pasi një dron i dyshuar u zbulua në hapësirën ajrore të tij.
Më parë, Ministria e Jashtme Britanike tha se droni që goditi bazën ushtarake në orët e para të mëngjesit i ishte drejtuar pistës së aeroportit.
Greqia dërgon dy fregata dhe F16 në Qipro
Me vendim të KYSEA-s (Këshilli Qeveritar për Sigurinë Kombëtare), është aktivizuar doktrina e mbrojtjes së unifikuar e Greqisë dhe Qipros, pas dy sulmeve në ishull.
Greqia po dërgon dy fregata në Qipro (njëra është Kimonas) dhe dy F16, ndërsa Nikos Dendias do të shkojë gjithashtu në ishull nesër.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



