Blinken: Ukraina në rrugën drejt NATO-s për sa kohë që vazhdon reformat

Udhëheqësit botërorë dhe zyrtarë qeveritarë janë mbledhur në Uashington, DC, për ditën e dytë të samitit të 75-vjetorit të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pret që SHBA të mbetet një aleat “besnik” i NATO-s.
“Unë pres që, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve , SHBA-ja do të mbetet një aleat i fortë dhe besnik i NATO-s”, u tha Stoltenberg.
Në të njëjtën kohë ai theksoi se pret që aleatët të bien dakord për një paketë të rëndësishme për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus, duke shtuar se ndihma do të shërbejë si një urë për integrimin e Kievit në Aleancë.
Duke folur në samitin e NATO-s, Stoltenberg shtoi se është shumë herët të thuhet se kur Ukraina do të pranohet si anëtare e NATO-s. Për më tepër, vuri në dukje ai, ndërsa NATO nuk sheh asnjë kërcënim të afërt ushtarak kundër ndonjë anëtari të Aleancës, ajo sheh një model të rritjes së armiqësisë ruse duke filluar nga dezinformimi në sabotim.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sipas tij, Ukraina është në rrugën e anëtarësimit në NATO për sa kohë që vazhdon reformat.
“Sipas vlerësimit tim të paktën, suksesi është një Ukrainë e fortë, e pavarur, e integruar gjithnjë e më shumë me institucionet tuaja Atlantike si Bashkimi Evropian, si NATO, dhe që është në gjendje të qëndrojë në këmbët e veta, ushtarakisht, ekonomikisht, demokratikisht,” tha ai.
Blinken bëri me dije se avionët luftarakë F-16 janë nisur drejt Ukrainës./CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



