Brazil, Gjykata e Lartë urdhëron lirimin e rrugëve nga postblloqet e vendosura nga njerëzit pro-Bolsonaro

Gjykata e Lartë e Brazilit urdhëroi sot Policinë Federale të Autostradave, që të zhbllokojë menjëherë qindra rrugë në të gjithë vendin, të cilat mbahen të bllokuara nga shumë shoferë kamionësh që protestojnë kundër humbjes së Presidentit Jair Bolsonaro në zgjedhjet e 30 tetorit.
Shumica e gjyqtarëve mbështetën vendimin, i cili akuzon Policinë e Autostradës për “mosveprim”.
Mosrespektimi i vendimit do të thotë se drejtori i Policisë së Autostradës, mund të gjobitet deri në 100,000 realë (më shumë se 19,000 dollarë) në orë, të hiqet nga detyra, madje të përballet edhe me arrestimin.
Prokurorët federalë në shtetet Sao Paulo dhe Goias thanë se kishin hapur hetime për rrugët e bllokuara.
Deri në mesditën e sotme Policia e Autostradës tha se kishte hequr 306 bllokada, por më shumë se 260 të tjera janë ende nëpër rrugë.
Bolsonaro nuk ka bërë deklarata publike që nga publikimi i rezultateve zyrtare të zgjedhjeve. Ai nuk i ka telefonuar da Silvës për të pranuar rezultatin.
“Edhe pse ai mund të mos jetë drejtpërdrejt përgjegjës për këto veprime, gjithçka që ai ka bërë si president e nxiti këtë, veçanërisht duke vënë në pikëpyetje procesin zgjedhor dhe fletët e votimit,” tha Ëilliams Gonçalves, një profesor i shkencave politike në Universitetin Federal të Rio de Zhaneiros.
Ashtu si ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të cilin Bolsonaro e admiron hapur, presidenti aktual i ekstremit të djathtë ka vënë vazhdimisht në dyshim besueshmërinë e sistemit zgjedhor të vendit, duke pretenduar se makinat elektronike të votimit janë të prirura për mashtrim. Ai nuk ka ofruar asnjë provë, edhe kur është urdhëruar nga gjykata zgjedhore që ta bëjë këtë nëse ka prova.
“Bolsonaro është plotësisht i izoluar. Të gjitha institucionet e tjera i kanë njohur tashmë rezultatet e zgjedhjeve,” tha Gonçalves.
Bolsonaro e humbi garën me një diferencë të vogël, duke marrë 49.1% të votave ndaj da Silvës 50.9%. Kjo ishte gara më e ngushtë presidenciale që nga kthimi i Brazilit në demokraci në vitin 1985. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



