Britania e Madhe do të dërgojë tanket Challenger 2 në Ukrainë

Kryeministri britanik Rishi Sunak konfirmoi sot se Mbretëria e Bashkuar do t’i sigurojë Ukrainës tanke Challenger 2. Kjo u nënvizua gjatë një telefonate të tij me Presidentin Volodymyr Zelensky. Lajmi bëhet i ditur nga nr. 10 në Londër.
Në njoftim, ndër të tjera, thuhet se kryeministri Sunak “konfirmoi ambicien e Mbretërisë së Bashkuar për të intensifikuar mbështetjen britanike për Ukrainën”, për Presidentin, Volodymyr Zelensky.
Sunak tha se kjo do të përfshinte edhe dorëzimin e tankut kryesor të betejës Challenger 2, si dhe sisteme shtesë artilerie.
Downing Street tha se biseda reflektonte edhe fitoret e fundit ukrainase “duke i shtyrë trupat ruse prapa”, si dhe “nevojën për ta kapur këtë moment, me qëllim përshpejtimin e mbështetjes globale ushtarake dhe diplomatike”.
“Kryeministri dhe Presidenti Zelensky, mirëpritën angazhime të tjera ndërkombëtare në këtë drejtim, duke përfshirë ofertën e Polonisë për të siguruar një kompani të tankeve Leopard”,- shtoi një zëdhënës i Downing Street.
“Kryeministri theksoi se ai dhe e gjithë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të punojnë intensivisht me partnerët ndërkombëtarë, për të ofruar me shpejtësi atë lloj mbështetjeje që do t’i lejojë Ukrainës të nxisë avantazhin e saj, ta fitojë këtë luftë dhe të sigurojë një paqe të qëndrueshme.”- thuhet në njoftim. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




