Çela: Bashkëpunimi ndërkombëtar, prioritet për Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar

Aktualitet | 1 orë më parë

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Ish-Studentëve Europianë të FBI-së, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi se bashkëpunimi ndërkombëtar është një prioritet për Shqipërinë në përballjen me krimin e organizuar dhe format e reja të kriminalitetit.

Sipas tij, bashkëpunimi mes grupeve kriminale në vende të ndryshme dhe përdorimi i teknologjisë kërkojnë ndryshimin e strategjive në luftën kundër krimit. Çela theksoi se, pavarësisht kapaciteteve të kufizuara, institucionet shqiptare duhet të forcojnë bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke shkëmbyer eksperienca dhe duke rritur përgjegjësinë e çdo institucioni.

“Sfidat janë bërë më komplekse se më parë. Krimi kibernetik, përdorimi i teknologjisë dhe transaksionet financiare na krijojnë nevojën për të rritur kapacitetet gjyqësore.Ne duhet të kemi bashkëpunim sa më të mirë kombëtar dhe ndërkombëtar të strukturave tona, për të shkëmbyer eksperienca dhe për të rritur përgjegjësitë e çdo institucioni”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm.

Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e një qasjeje të përbashkët dhe më të shpejtë në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe atij transaksional. Sipas Çelës, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe përshpejtimi i shkëmbimit të kërkesave mes autoriteteve duhet të jenë pjesë e kësaj qasjeje. Një tjetër pikë e rëndësishme, sipas tij, është përdorimi më i gjerë i ekipeve të përbashkëta të hetimit, si një mekanizëm për forcimin e bashkëpunimit dhe përballimin e formave gjithnjë e më komplekse të krimit.

Duhet të fokusohemi më shumë te komunikimi i drejtpërdrejtë, duke rritur shpejtësinë e kërkesave që kemi ndaj njëri-tjetrit, si dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për ekipet e përbashkëta të hetimit, si një pikë referimi drejt së ardhmes”, tha Çela.

Prokurori i Përgjithshëm e cilësoi bashkëpunimin ndërkombëtar si një element kyç për Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme