Çimkat pushtojnë avionin e Qantas, kompania anulon fluturimin nga Roma drejt Australisë

Botë | 40 minuta më parë

Një avion i kompanisë ajrore australiane Qantas u nxor jashtë shërbimit në Romë, pasi në bord u zbuluan insekte parazitare, të njohura si çimka, gjatë një fluturimi nga Perth drejt kryeqytetit italian.

Bëhet fjalë për një avion Boeing 787 Dreamliner, i cili operonte fluturimin QF5 më 9 tetor. Çimkat u konstatuan në pjesën e përparme të kabinës ekonomike, pasi disa pasagjerë raportuan praninë e tyre gjatë udhëtimit.

Pas mbërritjes në Romë, avioni u nxor nga shërbimi për t’iu nënshtruar një pastrimi të thelluar. Për këtë arsye, kompania anuloi fluturimin e kthimit nga Roma drejt Perthit, i planifikuar për 10 tetor.

Një zëdhënës i Qantas kërkoi ndjesë për shqetësimin e shkaktuar, duke shpjeguar se anulimi ishte i nevojshëm për t’u dhënë mundësi ekipeve teknike dhe të mirëmbajtjes të kryenin pastrimin e plotë të avionit, pasi ishte identifikuar një problem në disa prej sediljeve të klasit ekonomike.

Pasagjerëve të prekur iu sigurua akomodim dhe u rezervuan fluturime alternative brenda 48 orëve nga orari i nisjes së planifikuar fillimisht.

Sipas parazitologes Michelle Power, nga Universiteti Macquarie, insektet ka të ngjarë të jenë futur në avion përmes bagazheve ose veshjeve të ndonjë pasagjeri. Çimkat zakonisht përhapen gjatë udhëtimeve, pasi mund të fshihen në valixhe, rroba dhe hapësira të vogla.

Ekspertja shpjegoi se këto insekte nuk njihen si transmetuese të sëmundjeve, por pickimet e tyre mund të shkaktojnë kruarje dhe irritim të lëkurës. Ato janë gjithashtu të vështira për t’u eliminuar, pasi mund të fshihen në të çarat e mobilieve dhe në pëlhura për periudha të gjata.

Qantas deklaroi se kabinat e avionëve pastrohen rregullisht dhe se, si masë parandaluese, avionët dezinfektohen çdo 50 ditë. Megjithatë, prania e çimkave kërkon trajtim të specializuar për të shmangur përhapjen e tyre.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme