Cindy McCain do të drejtojë Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së

Botë | 4 vite më parë

Amerikania Cindy McCain do të marrë detyrën e drejtores ekzekutive të Programit Botëror të Ushqimit, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas largimit nga ky funksion të drejtorit aktual, David Beasley, i cili pritet të japë dorëheqjen muajin e ardhshëm, njoftoi Zëri i Amerikës.

“Zonja McCain, një kampione e të drejtave të njeriut, u ka dhënë për një kohë të gjatë zë, të pazëve, përmes punës së saj humanitare dhe filantropike”, thuhet në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) Qu Dongyu, teksa njoftojnë vendimin.

Zonja McCain është një anëtare e shquar e Partisë Republikane, i cila aktualisht shërben si ambasadore e SHBA-ve në agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Romë, të cilat përfshijnë Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë, Programit Botëror të Ushqimit dhe Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë.

Prej dekadash ajo ka qenë aktive në politikën amerikane si bashkëshortja e senatorit të Arizonës John McCain, i cili vdiq nga kanceri ne tru në gusht të vitit 2018. Që atëherë, ajo ka krijuar profilin e saj politik, duke mbështetur gjithashtu demokratin Joe Biden në garën presidenciale në vitin 2020, kundër kandidatit republikan, Presidentit Donald Trump.

Presidenti Biden emëroi zonjën McCain në postin që mban aktualisht në Romë në nëntor 2021. Zakonisht Shtëpia e Bardhë është e përfshirë në emërimin e kandidatit të SHBA-ve për të kryesuar Programit Botëror të Ushqimit.

Zonja McCain është marrë me filantropi. Në vitin 1988 ajo themeloi Ekipin e Mjekëve Vullnetarë Amerikanë, i cili ofron kujdes urgjent mjekësor dhe kirurgjikal, për fëmijët e varfër anembanë botës. Ajo ka udhëtuar gjithashtu në emër të Programit Botëror të Ushqimit, duke vizituar programet e ushqimit në ndihmë të nënave e fëmijëve në Kamboxhia, Sierra Leone, Çad dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

Zonja McCain, 68 vjeç, merr përsipër agjencinë në një kohë nevojash të pashembullta globale. Drejtuesit e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) thotë se 349 milionë njerëz në 79 vende të botës vuajnë nga një pasiguri ekstreme ushqimore. Këtë vit agjencia po përpiqet të mbledhë 23 miliardë dollarë për të ndihmuar rreth 150 milionë njerëz në mbarë botën. Në vitin 2022, programi arriti të mbështesë me ndihmë humanitare 160 milionë njerëz.

 

( Sipas Zërit të Amerikës )


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme