Daku: Konkurrenca në sulm na bën mirë, me Maran ndihemi të gjithë të rëndësishëm

Sulmuesi 28-vjeçar pritet të mbajë një peshë të madhe në repartin e avancuar, bashkë me Manajn.
Mirlind Daku ishte një nga dy lojtarët e Kombëtares shqiptare dolën sot para gazetarëve. Ai foli për aspektin personal, gjendjen e skuadrës dhe objektivin në Nations League, që starton më 26 shtator me sfidën kundër Bjellorusisë.
Daku u shpreh se kuqezinjtë do të përpiqen të zënë vendin e parë në grup si një rrugë për të shkuar në Europian, ndërkohë që theksoi se trajneri Maran i ka bërë të gjithë të ndihen të rëndësishëm.
“Është gjithmonë nder të jem pjesë e Kombëtares. Shpresojmë ta fillojmë mirë këtë cikël të ri, të gjejmë golat. Por me rëndësi është që të fitojmë dhe që t’i kalojmë me sukses këto 4 ndeshje, jo se kush do të shënojë.
Është mirë kur ka konkurrencë brenda skuadrës, siç është tani në Kombëtare. Çunat vijnë prej një fillimi sezoni të mirë, kanë shënuar gola dhe kjo ëhstë diçka pozitive. Unë pres momentin tim, nëse do të më jepet mundësia të luaj, do ta jap më të mirën time në fushë.
Rruga përmes Nations League është për në Europianin 2028. Objektivi ynë është që të jemi të parët në grupin tonë dhe pastaj të luajmë ato ndeshjet e tjera. Fakti që nuk kam luajtur me ekipin e ri nuk është se ka të bëjë me ndonjë dëmtim. Kanë qenë zgjedhje të trajnerit. Natyrisht, kur luan je më mirë, por unë jam gati të jap maksimumin me Komëbatren.
Trajneri Maran? Përshtypje më ka bërë fakti se të gjithë ne lojtarët jemi ndjerë të rëndësishëm në këtë moment në Kombëtare. Më parë nuk e kemi ndjerë këtë gjë dhe tani është mirë. Të tjerat pastaj le t’ia lëmë fushës, do të flasim më mirë pas katër ndeshjeve që do të zhvillojmë”, – tha mes të tjerash në konferencën për shtyp sulmuesi Mirlind Daku.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




