Debati presidencial, Harris kritikon Trumpin: Ukraina do të humbasë luftën nëse fiton zgjedhjet

Botë | 2 vite më parë

Gjatë debatit të fundit presidencial, nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump paraqitën pikëpamjet e tyre të kundërta për trajtimin e konflikteve të vazhdueshme në Ukrainë dhe Gazë.

Trump, duke synuar ta portretizojë veten si një udhëheqës i fortë, u zotua t’i japë fund të dyja luftërave nëse zgjidhet president, duke pohuar se është në “interesin më të mirë” të SHBA-së për të zgjidhur këto konflikte.

Ai kritikoi qasjen e administratës aktuale, duke theksuar se Biden dhe Harris nuk kanë guxim për të kërkuar më shumë nga aleatët evropianë në adresimin e këtyre krizave.

Trump pretendoi se nën lidershipin e ti, ai do t’u jap fund luftërave, duke deklaruar se ai ka një marrëdhënie të mirë si me presidentin rus Vladimir Putin ashtu edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ish-presidenti shprehu zhgënjimin me ato që ai i sheh si masa joefektive nga administrata aktuale, duke i akuzuar ata për dështimin për të negociuar në mënyrë efektive me Evropën dhe duke injoruar kërcënimin në rritje të një Lufte të Tretë Botërore të mundshme.

Si kundërpërgjigje, Harris akuzoi Trumpin se ishte i gatshëm të “heqë dorë” dhe e kritikoi qasjen e tij si naive.

Ajo argumentoi se nëse Trump do të ishte president, Putini do të kishte pushtuar tashmë Kievin dhe theksoi suksesin e administratës Biden-Harris në grumbullimin e 50 vendeve për të mbështetur Ukrainën.

Harris mbrojti strategjinë aktuale, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së palëkundur për sovranitetin e Ukrainës dhe duke akuzuar Trump për minimin e rolit të Amerikës në diplomacinë globale.

Trump gjithashtu shënjestroi Harrisin në qëndrimin e saj ndaj Izraelit, duke pretenduar se nëse ajo bëhej presidente, Izraeli mund të pushonte së ekzistuari brenda dy viteve.

Ai e kritikoi atë se nuk mori pjesë në një fjalim të rëndësishëm të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe sugjeroi se presidenca e saj do të trimëronte Iranin dhe do të minonte sigurinë e Izraelit.

Trump përsëriti synimin e tij për të zgjidhur me shpejtësi si konfliktin e Ukrainës dhe Gazës nëse zgjidhet.

Harris hodhi poshtë kritikat e Trumpit, duke i etiketuar ato si përçarëse dhe shpërqendruese. Ajo akuzoi Trumpin se ishte i dobët në sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme, duke treguar admirimin e tij për diktatorët dhe raportet e tij të diskutueshme me liderë si Kim Jong Un.

Harris mbrojti politikat e administratës Biden, duke theksuar një përkushtim ndaj aleancave strategjike dhe marrëdhënieve të forta ndërkombëtare.

Të dy kandidatët kanë siguruar nominimet e tyre partiake për zgjedhjet e ardhshme, pas tërheqjes së Presidentit Biden nga gara dhe miratimit të tij për Kamala Harris.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen mnë 5 nëntor dhe debati reflektoi dallimet e thella midis qasjeve të kandidatëve ndaj politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme