Dështimi i veshkave, shkaqet dhe simptomat

Kur dikush vuan nga dështimi i veshkave tregon se veshkat nuk janë më në gjendje të kryejnë funksionin e tyre, pra të rregullojnë ekuilibrin e ujit dhe kripës, të eliminojnë acidet dhe mbetjet brenda trupit dhe të prodhojnë hormone.
Dështimi i veshkave mund të jetë kronik (kur zhvillohet ngadalë me muaj ose vite) ose akut, kur ndodh brenda pak orësh ose ditësh, në këtë rast mund të jetë edhe kërcënues për jetën.
Disa shkaqe të mundshme të dështimit akut të veshkave- Dështimi akut i veshkave mund të shkaktohet nga shumë shkaqe të ndryshme. Si në të gjitha rastet e tjera, kërkimi i kujdesit mjekësor është i domosdoshëm për të marrë një diagnozë, trajtim të mundshëm dhe për të kufizuar dëmtimet serioze. Shkaqet e shumta përfshijnë dështimin e zemrës, dështimin e mëlçisë, dehidratimin, djegiet, trombozën e venave ose arterieve renale, infeksionet, mieloma e shumëfishtë, tumoret e traktit urinar, gurët në veshka dhe dëmtimin e nervave që kontrollojnë fshikëzën. Simptomat e insuficiencës renale akute, pra ajo që zhvillohet brenda orëve ose ditëve, përfshijnë mbajtjen e ujit, ënjtje të këmbëve, përgjumje, gulçim, lodhje, konfuzion mendor, ulje të vëllimit të urinës, konvulsione ose koma në raste të rënda.
Disa shkaqe të mundshme të dështimit kronik të veshkave- Shkaqet e insuficiencës renale kronike përfshijnë presionin e lartë të gjakut, mielomën e shumëfishtë, obstruksionin e zgjatur të traktit urinar, depozitimin e kolesterolit në enët renale, diabetin e tipit 1 dhe 2 dhe refluksin vezikoureteral. Në rastin e dështimit kronik të veshkave, simptomat që një person mund të përjetojë mund të zhvillohen me kalimin e kohës dhe gjithashtu mund të ngatërrohen me ato të sëmundjeve të tjera. Më të zakonshmet përfshijnë humbje të oreksit, vështirësi për të fjetur, konfuzion mendor, këmbë dhe kyçe të ënjtura, kruajtje të vazhdueshme, hipertension, nauze dhe të vjella, ulje të prodhimit të urinës dhe kontraktime të pavullnetshme të muskujve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




