Drejtuesi i “Telegramit” mbetet në paraburgim në Francë

Botë | 2 vite më parë

Pavel Durov, drejtuesi i aplikacionit për shpërndarjen e mesazheve Telegram, mund të mbahet në paraburgim deri të mërkurën. Prokurorët francezë njoftuan se kanë siguruar kohë shtesë për ta marrë në pyetje. Ndërkaq, një zyrtar i lartë rus, aleat i Presidentit Vladimir Putin ka thënë se dyshon se Uashingtoni ka ndikuar për ndalimin e zotit Durov.

Miliardieri i lindur në Rusi është arrestuar në Francë gjatë fundjavës në kuadër të hetimit mbi krimet që kanë lidhje me shpërndarjen e imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve, trafikimit të drogës dhe mashtrimeve që bëhen me transaksione në “Telegram”, sipas prokurorëve francezë.

Të martën, zëdhënësi i prokurorit publik tha se vendimi për mbajtjen në paraburgim të zotit Durov është shtyrë për 48 orë të hënën.

Aplikacioni për shpërndarjen e mesazheve, që analistët e përshkruajnë si një fushëbetejë virtuale, është shfrytëzuar masivisht nga të dyja palët e përfshira në luftën që po zhvillohet në Ukrainë. Ajo shfrytëzohet shumë edhe nga kanalet që shpërndajnë propagandë.

Pa ofruar dëshmi, udhëheqësi i Dumës, dhomës së ulët të parlamentit rus, Vyacheslav Volodin tha se Shtetet e Bashkuara, përmes Francës, po bëjnë përpjekje që të ushtrojnë kontroll mbi “Telegramin”.

“Telegrami është një nga platformat e pakta dhe të njëjtën kohë më të mëdhatë të internetit mbi të cilat Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndikim”, shkroi zoti Volodin përmes një postimi.

“Ndërsa i afrohemi zgjedhjeve presidenciale amerikane, është e rëndësishme për (Presidentin Joe) Biden që ta fusë ‘Telegramin’ nën kontroll”.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente lidhur me arrestimin e zotit Durov.

Sipas VOA

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme