Drogë në lokalin e natës në Potam, arrestohen pronari dhe banakieri në Himarë (Video)

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një lokal nate në plazhin e Potamit, në Himarë, dyshohet se ishte përshtatur për shitjen e lëndëve narkotike. Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Late-night”, duke vënë në pranga pronarin e subjektit dhe një prej punonjësve të tij. Gjatë aksionit janë sekuestruar 150 doza kokaine, 8 doza cannabis sativa, një armë sportive, një peshore elektronike dhe dy celularë.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë se në një lokal nate në zonën e Potamit shiteshin lëndë narkotike.

Pas verifikimit të informacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë ndërhynë në ambientet e subjektit, ku arrestuan në flagrancë pronarin, shtetasin M. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe banakierin A. Gj., 20 vjeç, banues në Lazarat.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit fizik të 20-vjeçarit u gjetën 5 doza të dyshuara si kokainë dhe 8 doza të dyshuara si cannabis sativa.

Ndërkohë, kontrolli i banesës së pronarit të lokalit ka çuar në zbulimin e 145 dozave të tjera të dyshuara si kokainë. Në total, autoritetet kanë sekuestruar 150 doza kokaine dhe 8 doza cannabis sativa.

Gjatë kontrollit në banesë u gjetën gjithashtu një peshore elektronike, që dyshohet se mund të jetë përdorur për ndarjen e lëndës narkotike, si dhe një armë sportive, pistoletë, të cilën 33-vjeçari e posedonte pa leje.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu dy telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme në funksion të hetimit.

Policia bën me dije se operacioni u finalizua pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara gjatë punës operative.

Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale që lidhen me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, ndërsa për pronarin rëndon edhe dyshimi për mbajtje pa leje të armës sportive.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme