“Dua Fest” elektrizon publikun, muzikë, energji dhe mesazhe ndërgjegjësuese në eventin artistik
Energji, muzikë dhe atmosferë festive dhuroi nata e parë e “Dua Fest”, e organizuar nën sfondin e Kalasë së Rozafës dhe pranë lumenjve Drin e Bunë. Emra të njohur të skenës shqiptare si Lyrical Son, MC Kresha, Kida, Sardi Strugaj dhe David Dreshaj sollën hitet e tyre, duke i dhënë ritëm mbrëmjes dhe duke argëtuar publikun e pranishëm.
“Shkodra është e veçantë, po ta vini re unë disa klipe të mia t’i bëj në Shkodër. Shkodra është ndaç e bukur, ndaç me kulturë, është djep i kulturës shqiptare. Kështu që edhe vetë jam nga Puka, e kam këtë afërsinë, e kam pak më të veçantë”, deklaroi këngëtari Sardi Strugaj.
“Organizim profesional. Zëri im ishte shumë i mirë. Unë vetëm i uroj suksese krejt stafit të Dua Festit edhe krejt këngëtarëve që kanë për të kënduar mbas meje”, u shpreh këngëtari David Dreshaj.
Eventi përcolli edhe mesazhe ndërgjegjësuese, këtë herë duke vendosur në vëmendje kujdesin, mbrojtjen dhe dashurinë ndaj kafshëve endacake.
“Dua Fest” organizohet për të dytin vit radhazi në Shkodër, duke ndërthurur muzikën me mesazhet sociale. Festa do të vijojë edhe me një natë të dytë, ku në skenë do të ngjiten të tjerë artistë të njohur të muzikës shqiptare.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




