“Dy fjalë” Gigliola Haveriku i këndon dashurisë që iku me verën

Gigliola Haveriku është prezantuar së fundi me këngën e re “Dy fjalë”. Ky projekt e sjell këngëtaren krejt ndryshe duke u pritur mjaft mirë nga publiku. “Edhe mua më ka pëlqyer ky version i Gigliolës,” – shprehet këngëtarja në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”.
Kënga është punuar nga Tull Production dhe Young Klik. Kur ia prezantuan këngën, artistes nuk iu desh shumë kohë të mendohej për ta pranuar atë. “Kënga edhe pse është ndryshe nga stili im, ka disa motive jazz-i që duhet të ketë çdo këngë imja, në mënyrë që të më identifikojë si artiste.”
Tekstin e këngës Gigliola e ka shkruar vetë, e frymëzuar nga një histori e jetuar verën që lamë pas. “Ishte një njohje vere. Ti mendon se e do atë person, duket si ndjenjë e fortë, por që në fakt shuhet si stina e verës. Nuk kam folur më parë për këtë histori, por i dedikova një këngë sepse nuk kisha një gjë tjetër interesante për të shkruar në ato momente.”
Refreni i këngës nis me vargun “Ti nuk e di sa m’ke lëndu”. Çfarë e ka lënduar këngëtaren nga kjo histori? “Në këngë nuk flitet veçanërisht për historinë, por është perceptimi im i ndjenjës, se si u rrit, u zhvillua dhe u largua nga unë.”
E pyetur se cili është zhgënjimi më i madh në jetë që mund ta ketë lënduar, ajo rrëfen: “Unë lëndohem nga mosmirënjohja, nga zhgënjimet, sepse kur dua dike, si në shoqëri dhe dashuri, e jap veten time tërësisht. Zhgënjimi më i madh me siguri vjen nga lidhjet e gjata. Kjo sepse aty t’i shpreson shumë, jep shumë nga vetja, e sheh atë person në të ardhmen tënde. Në momentin që kalaja që ke ngritur rrëzohet, atëherë lëndohesh dhe zhgënjimi është më i madh.”
Në mbyllje të intervistës, Gigliola Haveriku, premton se gjatë vitit 2023 do të vijë me shumë projekte muzikore. Në planet e saj është edhe pjesëmarrja në Festivalin e Këngës në RTSH.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




