Dy vjetori i talibanëve në Afganistan

Botë | 3 vite më parë

Talibanët e Afganistanit kanë shënuar këtë të martë dy vjetorin e rikthimit të tyre në pushtet, pasi forcat e huaja të drejtuara nga SHBA u tërhoqën pas njëzetëvitesh nga ai vend, forcat eafgane të sigurisë të ngritura me mbështetjen perëndimore u shpërbënë dhe presidenti i mbështetur nga SHBA Ashraf Gani u largua nga vendi. 

Në kryeqytet masat e sigurisë ishin të larta këtë të martë, e cila u shpall ditë pushimi. Luftëtarët talibanë, mbështetesit e tyre dhe disa banorë të Kabulit u mblodhën nëpër rrugë për të kujtuar sipas tyre “shporrjen” e armikut nga vendi. 

Pavarësisht se talibanët pretendojnë se Afganistani po përjeton një situatë paqeje, OKB thotë se atje janë shtuar sulmet ndaj civilëve, disa prej të cilave të ndërmarra nga grupi terrorist i Shtetit Islamik. 

Për shumë gra, të cilat gëzuan të drejta dhe liri më të mëdha gjatë dy dekadave kur në pushtet ishin qeveri të mbështetura nga perëndimi, sundimi i talibanëve  ka shënuar një kthim  pas në këto të drejta.  

Vajzat mbi moshën 12 vjeç nuk lejohen të studiojnë. Shumë gra nuk janë lejuar të punojnë në agjenci humanitare, iu është ndaluar të jenë të pranishme në parqe dhe vende të tjera publike, iu është ndaluar të udhëtojnë pa qenë të shoqëruar nga të afërm meshkujt, ndërsa janë mbyllur edhe sallonet e bukurisë. 

Gazetaria gjithashtu është përballur me shtypje.  

Talibanët ndërkohë shpresojnë që qeveria e tyre të njihet nga faktori ndërkombëtar, t’u hiqen sanksionet si dhe të lirohen rreth 7 miliardë dollar të ngrira nga SHBA dhe gjysma e të cilave janë transferuar në një trust zvicerian, ndërkohë që më shumë se dy e treta e popullsisë së vendit ka nevojë për ndihma humanitare për të mbijetuar. 

Gazetare Elda Pepa

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme