E akuzuar se mori miliona euro nga Katari dhe Maroku, lirohet nga burgu eurodeputetja greke Eva Kaili

Botë | 4 vite më parë

Eurodeputetja greke, Eva Kaili e cila u përfshi në skandalin e korrupsionit të Parlamentit Evropian është liruar sot nga burgu pas 4 muajsh që kaloi pas hekurave.

Kaili do të lihet në arrest shtëpiak, me një byzylyk elektronik.

“Nuk do të jap më shumë informacione, përveç faktit se ky është një vendim logjik që duhej të ishte marrë më parë” tha avokati i saj, Mary në një deklaratë të shkurtër.

Kaili do t’i nënshtrohet seancave dëgjimore të rregullta për të zgjatur ose revokuar mbikëqyrjen elektronike.

Deputetja greke u arrestua për herë të parë më 9 dhjetor, kur u raportua se u kap në flagrancë dhe imuniteti i saj parlamentar iu hoq menjëherë.

Deputetja 44-vjeçare u akuzua për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash dhe më pas u transferua në burgun Haren, që ndodhet në periferi të Brukselit.

Arrestimi i saj troditi Brukselin dhe nxori në dritë skemën e korrupsionit për favore që përfshinte shuma të mëdha parash dhe dhurata të konsiderueshme që dyshohet se janë paguar nga Katari dhe Maroku për të ndikuar në politikëbërjen evropiane. Ndërsa të dy vendet mohojnë çdo përfshirje në skandalin e korrupsionit, transmenton EuroNews. 

Mbi 1.5 milionë euro para të thata u sekuestruan nga policia belge gjatë dhjetëra kontrolleve të shtëpive dhe zyrave.

Pas skandalit, Kaili u shkarkua nga posti i saj si një nga nënkryetaret e Parlamentit Evropian.

Kaili ishte një nga pesë personat e arrestuar dhe të akuzuar penalisht nga autoritetet belge, së bashku me partnerin e saj vendas Francesco Giorgi, ish-deputetin e Parlamentit Evropian Pier Antonio Panzeri, drejtorin e OJQ-së Niccolò Figà-Talamanca dhe eurodeputetin belg Marc Tarabella.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme