Egjiptianët, punëtorë sezonalë në hotelet e zonës turistike të Shëngjinit
Në mesin e qindra punëtorëve sezonalë, që kanë mbushur hotelet dhe rezortet e bregdetit të Shëngjinit gjatë kësaj vere, janë dhe Ali dhe Muhamed, të cilët spikasin si figura të reja të emigracionit ekonomik në Shqipëri.
Të ardhur nga Egjipti, ata janë ndër të paktët burra që ushtrojnë një profesion të cilësuar tradicionalisht si femëror: pastrues hotelesh.
Ali Rdeea ka përvojë në të njëjtën punë edhe në vendin e tij të origjinës. Ai e sheh këtë sezon si një fillim të ri në Shqipëri, ndërsa është mjaft i kënaqur me mikpritjen dhe punën që bën.
“Unë quhem Ali dhe kam ardhur nga Egjipti për të punuar në Shëngjin. Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë i kënaqur me punën, pasi të njëjtën gjë kam bërë edhe në Egjipt. Shqipëria dhe Shëngjini në veçanti po na pëlqen shumë. Këtu po bëj një punë që e bëjnë femrat, duke pastruar hotelet, por s’e kam fare problem dhe ndihem shumë mirë. Në Shqipëri, pagesa është më e mirë sesa në Egjipt. Nëse do të arrij të pajisem me dokumente, mendoj të marr edhe familjen që të vendosemi të gjithë në Shqipëri,” thotë Ali.
Ali dhe Muhamed nuk janë të vetmit shtetas egjiptianë të punësuar këtë sezon veror në Shëngjin. Mungesa e krahut punës vendas ka detyruar bizneset që të rekrutojnë shtetas të huaj.
“Janë shumë të kënaqur, sepse bëjnë një punë shumë cilësore dhe nuk kanë asnjë lloj pretendimi. Bëjnë orët e punës që i kanë të normalizuara sipas punës dhe shpejtësisë me të cilën e kryejnë. Nuk u bie as pesë-gjashtë orë në ditë,” shprehet operatori turistik Besnik Sula.
Rasti i dy egjiptianëve reflekton një tendencë të re në tregun shqiptar të punës sezonale, ku për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase gjithnjë e më shumë biznese po i drejtohen punonjësve të huaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





