Epidemia e “grushtit të shtetit” prek edhe Gabonin, ushtria vendos në “arrest shtëpie” presidentin, reagon komuniteti ndërkombëtar

Ushtarë kryengritës pretendojnë se kanë marrë pushtetin në Gabon të mërkurën dhe vendosën presidentin në arrest shtëpiak, disa orë pasi ai u shpall fitues në zgjedhje, duke zgjatur sundimin 55-vjeçar të familjes së tij në Afrikën Qendrore të pasur me naftë.
Me anë të një video presidenti, Ali Bongo Ondimba u bëri thirrje njerëzve që të protestojnë në mbështetje të tij. Por turmat në vend të kësaj dolën në rrugët e kryeqytetit dhe kënduan himnin kombëtar për të festuar përpjekjen për grusht shteti kundër një dinastie të akuzuar se është pasuruar me burimet e vendit, ndërkohë që shumë nga qytetarë mezi sigurojnë jetesën.
“Falëminderit ushtri. Më në fund. Ne kemi pritur për një kohë të gjatë për këtë moment,”- tha Yollande Okomo, duke qëndruar përballë ushtarëve nga garda elitare republikane e Gabonit, një nga njësitë që organizoi grushtin e shtetit.
Bongo, 64 vjeç, ka shërbyer dy mandate që nga ardhja në pushtet në 2009 pas vdekjes së babait të tij, i cili e sundoi vendin për 41 vjet. Në Gabon ka pasur pakënaqësi të madhe për mbretërimin e tyre për vite me rradhë. Një grup tjetër ushtarësh kryengritës tentuan një grusht shteti edhe në vitin 2019, por ata u mposhtën shpejt.
Ish- kolonia franceze është anëtare e OPEC-ut, por pasuria e saj e naftës është e përqendruar në pak duar, dhe gati 40% e gabonezëve të moshës 15 deri në 24 vjeç janë të pa punë, sipas një raporti të Bankës Botërore në 2020. Disa anëtarë të familjes Bongo, ndërkohë, janë nën hetim në Francë dhe disa të tjerë përballen me akuza paraprake për përvetësim, pastrim parash dhe forma të tjera korrupsioni, sipas raporteve të mediave franceze.
Një zëdhënës i ushtarëve që morën pushtetin të mërkurën tha se “qeverisja e paparashikueshme dhe e papërgjegjshme” e Bongos rrezikonte ta çonte vendin në kaos.
Në një deklaratë të mëvonshme, udhëheqësit e grushtit të shtetit thanë se njerëzit përreth presidentit ishin arrestuar për “tradhti të lartë të institucioneve shtetërore, përvetësim masiv të fondeve publike (dhe) përvetësim të financimeve ndërkombëtare”.
Udhëheqësit dhe analistët e huaj paralajmëruan se marrja e pushtetit, i cili mund të pasqyrojë ndarjet midis elitës në pushtet, rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri, dhe vetëm do ta përkeqësojë jetën e shumë gabonezëve, pasi nuk është e qartë se çarë do ta ndryshonte status quo-në.

Ushtarët që po festonin ngritën në ajër kreun e gardës republikane – i cili është një i afërm i Bongo-s. Është e paqartë nëse ushtria synon ta emërojë atë si udhëheqësin e tyre të ri.
Përpjekja për grusht shteti erdhi rreth një muaj pasi ushtarët rebelë në Niger morën pushtetin nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe është i fundit në një seri grushtesh shteti në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore në vitet e fundit.
Mosndëshkimi që gëzonin ata si puçistë mund të ketë frymëzuar ushtarët në Gabon, tha Maja Bovcon, analiste e lartë në Verisk Maplecroft, një firmë e vlerësimit të rrezikut.
Në zgjedhjet e fundjavës, Bongo u përball me një koalicion opozitar të udhëhequr nga Albert Ondo Ossa, një profesor i ekonomisë dhe ish-ministër arsimi, nominimi i befasishëm i të cilit erdhi një javë përpara votimit. Çdo zgjedhje e mbajtur në Gabon që nga kthimi i vendit në një sistem shumëpartiak në vitin 1990 ka përfunduar me dhunë.
Votimi u kritikua nga vëzhguesit ndërkombëtarë, por një qetësi relative mbizotëroi deri në orët e para të së mërkurës, kur Bongo u shpall fitues.
Pak minuta më vonë, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në qendër të kryeqytetit, Libreville. Më vonë, një duzinë ushtarësh me uniformë dolën në televizionin shtetëror dhe njoftuan se kishin marrë pushtetin.
Menjëherë pas kësaj, turmat u derdhën në rrugë. Shitorja Viviane Mbou u ofroi ushtarëve lëng.
“Rroftë ushtria jonë,”- tha Jordy Dikaba, një i ri duke ecur me miqtë e tij në një rrugë të mbushur me policë të armatosur rëndë.
Libreville është një bastion i mbështetjes për opozitën, por ishte e paqartë se si u pa përpjekja për grusht shteti në zonat periferike, ku më shumë njerëz tradicionalisht mbështesin Bongon.
Presidenti u lut për mbështetje në një video që e tregonte atë të ulur në një karrige me një raft librash pas tij. Ai tha se ishte ndaluar në banesën e tij dhe se gruaja dhe djali i tij ndodheshin diku tjetër.
Videoja u nda me The Associated Press nga BTP Advisers, një firmë komunikimi që ndihmoi presidentin në sondazhet për zgjedhjet.
Udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë thënë se presidenti ishte në arrest shtëpiak, i rrethuar nga familjarët dhe mjekët.
Ossa, kreu i opozitës, i tha AP se nuk ishte gati të komentonte dhe se po priste që situata të evoluonte.
“Gaboni ishte në mes të një grushti tjetër elektoral, kështu që një grusht shteti ndoqi një tjetër grusht shteti dhe i fundit ka më shumë shanse për të qenë popullor, por le të jemi të kujdesshëm,”- tha Thomas Borrel, një zëdhënës i grupit të të drejtave të njeriut me bazë në Paris, Survie, e cila është kundër politikave ndërhyrëse të Francës në Afrikë.
“Nëse një diktaturë ushtarake zëvendëson diktaturën e Bongos, popullsia e Gabonit do të humbiste përsëri.”
Oficerët kryengritës u zotuan të respektojnë “angazhimet e Gabonit ndaj komunitetit kombëtar dhe ndërkombëtar”. Por përpjekja për grusht shteti kërcënon të ndalojë ekonominë.
Një burrë që iu përgjigj telefonit në aeroport tha se fluturimet ishin anuluar të mërkurën dhe firma private e inteligjencës Ambrey tha se të gjitha operacionet në portin kryesor të vendit në Libreville ishin ndalur, pasi autoritetet refuzuan të jepnin leje për anijet për t’u larguar. Disa kompani franceze thanë se po pezullonin operacionet dhe po lëviznin për të garantuar sigurinë e stafit të tyre.
“Franca dënon grushtin ushtarak që është duke u zhvilluar në Gabon dhe po monitoron nga afër zhvillimet në vend. Franca rikonfirmon dëshirën e saj që rezultati i zgjedhjeve, pasi të publikohet, të respektohet”,- tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë franceze, Olivier Veran.
Franca ka mbajtur lidhje të ngushta ekonomike, diplomatike dhe ushtarake me Gabonin dhe ka 400 ushtarë të stacionuar në vend duke udhëhequr një operacion rajonal stërvitor ushtarak.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Gaboni do të diskutohej nga ministrat e bllokut këtë javë.
“Nëse kjo konfirmohet, është një tjetër grusht shteti ushtarak, i cili rrit paqëndrueshmërinë në të gjithë rajonin,”- tha ai.
Kreu i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, dënoi me vendosmëri përpjekjen për grusht shteti dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë që të kthenin paqësisht në “rendin kushtetues demokratik”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, u bëri thirrje palëve që t’i zgjidhin çështjet në mënyrë paqësore. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




