Epokë e re në mjekësi, foshnjat me ADN-në e tre personave lindin pa sëmundje të trashëgueshme

Kuriozitete | 1 vit më parë

Tetë foshnje kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar pa sëmundje trashëgimore të mitokondrive, falë një teknike inovatore që përdor ADN-në nga tre persona të ndryshëm. Kjo është hera e parë që ka prova të qarta se metoda funksionon dhe parandalon sëmundje gjenetike të pashërueshme.

Teknika përfshin kombinimin e vezës së nënës dhe spermës së babait me vezën e një donatoreje të shëndetshme, nga e cila merren mitokondritë, pjesët e qelizës që prodhojnë energji. Edhe pse fëmija merr rreth 99.9% të ADN-së nga prindërit biologjikë, rreth 0.1% vjen nga gruaja e tretë, duke eliminuar mutacionet mitokondriale, një ndryshim që mund të përcillet brez pas brezi.

Mitokondritë me defekte janë përgjegjëse për sëmundje të rënda që prekin zemrën, trurin dhe muskujt, dhe shpesh janë fatale për foshnjat e lindura me to. Një në çdo 5,000 foshnje lind me probleme të tilla.

Çiftet që përfituan nga kjo teknikë mbeten anonimë, por përmes deklaratave të shpërndara nga Qendra për Fertilitetin në Newcastle, ata shprehën mirënjohjen e tyre.

“Pas vitesh pasigurie, ky trajtim na dha shpresë dhe pastaj na dha fëmijën tonë.”

“Barra emocionale e sëmundjes mitokondriale është hequr dhe në vend të saj është shpresa, gëzimi dhe mirënjohja e thellë”, thanë disa prej tyre.

Metoda është ligjore në Britani që nga viti 2015, por vetëm tani, përmes këtyre lindjeve të suksesshme, ajo dëshmohet si efektive dhe e sigurt.

Ekipi në Newcastle pret që 20 deri në 30 foshnje në vit të mund të lindin me këtë teknikë, duke u dhënë shpresë qindra familjeve që përballen me rrezikun e trashëgimisë së këtyre sëmundjeve fatale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme