Fermerët bllokojnë rrugët e Parisit – Protestë kundër marrëveshjes BE-Mercosur dhe të ardhurave të ulëta

Fermerët francezë marshuan të martën me rreth 350 traktorë në Paris për të protestuar ndaj të ardhurave të ulëta dhe një marrëveshjeje tregtare të BE-së me Amerikën e Jugut. Traktorët hynë në qytet pak pas orës 6 të mëngjesit përmes Porte Dauphine dhe u drejtuan drejt Harkut të Triumfit në Avenue Foch.
Ata kaluan Champs-Elysées dhe lumin Sena, duke bllokuar trafikun në orët e pikut. Protestat u udhëhoqën nga sindikata “Fermerët e Rinj”, të cilët kërkuan veprime të menjëhershme për të mbrojtur sigurinë ushqimore të Francës. Fermerët paralajmëruan se marrëveshja BE-Mercosur mund të sjellë importe më të lira që rrezikojnë tregun vendas.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet të shtunën në Paraguai mes BE-së dhe Argjentinës, Brazilit, Uruguait dhe Paraguait. Shumica e vendeve të BE-së e mbështesin marrëveshjen, por Franca, Polonia, Austria, Hungaria dhe Irlanda kundërshtojnë. Fermerët kërkojnë garanci për mbrojtjen e tregut dhe sigurinë e punës së tyre, dhe paralajmëruan se do të vazhdojnë protestat nëse kërkesat nuk merren parasysh.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




