“Fest 65” po vjen! RTSH hap aplikimet për Festivalin e Këngës, fton artistët nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora

Radio Televizioni Shqiptar ka hapur thirrjen për aplikimin e artistëve në Festivalin e Këngës. Krijuesit dhe interpretuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora kanë gjashtë ditë kohë për të aplikuar.
Aplikimet për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës në RTSH janë hapur sot, më 22 shtator, dhe do të zgjasë deri më 27 shtator, ku artistët, kompozitorët dhe krijuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora mund të aplikojnë për të qenë pjesë e “Fest 65”.
Thirrja u drejtohet krijuesve dhe interpretuesve të muzikës së lehtë shqiptare që dëshirojnë të konkurrojnë në edicionin e këtij viti të Festivalit të Këngës, i cili do të zhvillohet në muajin dhjetor.
Pjesëmarrësit mund të aplikojnë përmes platformës zyrtare të RTSH-së, (kliko këtu) duke dorëzuar këngët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në rregulloren e festivalit.
Sipas rregullores, kënga konkurruese duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe nuk duhet të jetë më e gjatë se katër minuta.
Një ndër kushtet kryesore është që kënga të jetë një krijim origjinal. Ajo nuk duhet të jetë publikuar më parë në asnjë formë dhe nuk duhet të jetë krijuar me përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI).
Në garë mund të marrin pjesë artistë shqiptarë, me krijime të reja që synojnë të sjellin në skenën e festivalit zhvillimet më të fundit të muzikës së lehtë shqiptare.
Rregullorja përcakton edhe kriteret për interpretuesit. Këngëtarët duhet të jenë mbi 18 vjeç, ndërsa çdo interpretues mund të marrë pjesë në festival vetëm me një këngë.
Edhe autorët kanë një numër të përcaktuar krijimesh me të cilat mund të konkurrojnë. Një kompozitor mund të marrë pjesë me jo më shumë se një kompozim, ndërsa një autor teksti mund të paraqesë deri në dy tekste. Për orkestruesit, kufiri është dy orkestrime, duke përfshirë edhe bashkëautorësitë në secilën prej kategorive.
Pas mbylljes së aplikimeve më 27 shtator, procesi do të vijojë me përzgjedhjen e këngëve dhe artistëve që do të marrin pjesë në edicionin e 65-të.
“Fest 65” pritet të rikthehet në muajin dhjetor në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH, një prej eventeve tradicionale të muzikës shqiptare. Me hapjen e aplikimeve sot, nis zyrtarisht rrugëtimi drejt edicionit të 65-të.
View this post on Instagram
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



