“Festa e Pishës”, turizëm historik e natyror në zemër të Myzeqesë
Pisha e Llazi Spiros, e njohur edhe si “pisha e vetmuar”, qëndron krenare në mes të një are të gjelbër në Shën Pjetër të Fierit, duke tërhequr çdo vizitor me hijeshinë dhe historinë e saj.
Këtë fundjavë, ajo u bë qendra e një feste të veçantë që zgjati nga pasditja deri në mesnatë.
Banorë të zonës dhe vizitorë të shumtë u mblodhën rreth saj, duke krijuar një atmosferë gëzimi dhe bashkimi.
Vallet tradicionale myzeqare, të sjella nga Ansambli, u hodhën rreth e rreth nën qiellin e hapur, ndërsa tingujt e muzikës popullore shtonin emocionin dhe kureshtjen mbi këtë pemë dhe historinë e saj.
Pisha, e cila dikur ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij, mban emrin e patriotit Llazi Spiro, një patriot i shquar dhe pjesëmarrës në kryengritjet për Pavarësi.
“Si pasardhës i Llazi Spiros, sot emrin e tij e lartësoj jo vetëm unë, por gjithë banorët e Myzeqesë në këtë aktivitet tejet të rëndësishëm të zhvilluar në zonën e Shën Pjetrit,” u shpreh gazetari Enrik Mehmeti.
Sot, Pisha e Llazi Spiros është më shumë sesa një pemë e bukur. Ajo është simbol i qëndresës, krenarisë dhe identitetit të Myzeqesë.
Festivali që u zhvillua këtë javë synon ta kthejë këtë vend në një destinacion turistik ku vizitorët jo vetëm shijojnë natyrën dhe argëtimin, por rikthehen tek rrënjët e historisë shqiptare.
Gazetare: Laureta Roshi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





