Festivali i 64-t i Këngës, producentja: RTSH ka patentën e vetme që çon Shqipërinë në arenën ndërkombëtare
  • e mërkurë, 1 tetor 2025

Festivali i 64-t i Këngës, producentja: RTSH ka patentën e vetme që çon Shqipërinë në arenën ndërkombëtare

Me përfundimin e afatit për dorëzimin e këngëve konkurruese, Festivali i 64-t i Këngës në RTSH po përgatitet për edicionin e ri të shumëpritur.

Producentja Belioza Çoku tha në një intervistë për RTSH 24 se fokus kryesor do të jetë cilësia e këngëve dhe e interpretimit, si dhe përfshirja e diasporës shqiptare në procesin e votimit, me leximin e votave në kohë reale. Këtë edicion do i kushtohet vëmendje e veçantë transparencës në çdo fazë të konkurrimit.

Festivali i Këngës do të përqendrohet më së shumti tek promovimi i cilësisë dhe i prodhimeve artistike, si dhe të këngëtarëve me cilësinë e duhur dhe talenteve. Për realizimin e këtij projekti do të ketë zero kompromis në pjesën e cilësisë, në përzgjedhjen dhe në procesin e konkurrimit, i cili do të ketë në fokus transparencën absolute”, u shpreh Çoku.

Producentja tha se është optimiste për këtë edicion, duke theksuar vështirësitë që ekzistojnë sot në krijimin e ekipeve artistike që ndajnë të njëjtin vizion dhe pasion. Ajo shtoi se vendimi për të marrë pjesë në këtë projekt erdhi pas thirrjes së Drejtoreshës Artistike, Elhaida Dani.

Arsyeja pse jemi optimistë është se në kohët që jetojmë është e vështirë pjesa e krijimit, e burimeve njerëzore dhe e ekipeve të cilat flasin të njëjtën gjuhë me pasion. E konsideroj veten me fat, sepse jemi mbledhur një ekip që flasim me të njëjtën gjuhë. Patentën ndërkombëtare që ta ofron një projekt i tillë ne në edicionin e radhës do ta ngremë edhe më lart. Patenta e vetme në Shqipëri që të afron në arenën ndërkombëtare është vetëm Festivali i Këngës në RTSH”, theksoi producentja.

Çoku shtoi se një nga risitë kryesore është përfshirja e diasporës shqiptare në procesin e votimit, me leximin në kohë reale të votave të tyre. Kjo synon të sjellë një lidhje më të fortë emocionale dhe pjesëmarrëse të shqiptarëve jashtë vendit, ndërsa struktura e netëve do të mbetet e njëjtë.

Dy netët e para do të jenë konkurrim. Do të jetë nata e 3-të që do të jetë ‘Nata e Nostalgjisë’ dhe natën finale do të shpallen fituesit. Struktura do të ruhet, sepse shohim që njerëzit janë të lidhur me të. Lidhet me pjesën autentike, me pjesën e prodhimit dhe me këtë filozofi ne duam ta përforcojmë dhe të qëndrojmë në trashëgiminë e vërtetë të RTSH-së”, tha Belioza Çoku.

Producentja theksoi gjithashtu se gjatë muajit tetor do të prezantohen disa projekte që lidhen me përfshirjen sociale të komuniteteve, ndërsa në nëntor do të publikohet lista përfundimtare e këngëtarëve dhe këngëve pjesëmarrëse.

Risia pikësëpari do të mbështetet në pjesën e prodhimtarisë së këngëtarëve. Ashtu si në edicionin e kaluar do i qëndrojmë të njëjtës strukturë: do të prezantohen prodhimet, këngëtarët gjatë muajit nëntor. Kemi dhe disa projekte të vogla që do prezantojmë gjatë këtij muaji. Risi tjetër do të jetë edhe përfshirja sociale e këtyre komuniteteve që ne jetojmë. Është menduar që në fillim me ekspert të posaçëm për  të ruajtur prodhimet e këtij projekti me qëllim mosekspozimi me elementë të Inteligjencës Artificiale. Drejtoresha Artistike do të ruajë të njëjtin trend për të arritur edhe ftesën e disa personazheve shumë specialë. Gjatë muajit tetor pritet që të bëhet publikimi i prodhimeve muzikore që kanë ardhur dhe në muajin nëntor do të dalë lista e këngëtarëve”, tha ajo.

Festivali i Këngës në RTSH mbetet e vetmja platformë me patentë ndërkombëtare në Shqipëri, që mund të çojë përfaqësuesin shqiptar në skenën e Eurovision Song Contest.

/rtsh.al/