Sot mbyllet afati i aplikimeve për Fest 64, lista e pjesëmarrësve publikohet në tetor

Kulturë | 12 muaj më parë

Sot është afati i fundit për dorëzimin e materialeve muzikore për edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës në RTSH.

Stafi drejtues i Festivalit i bën edhe njëherë thirrje të gjithë artistëve dhe krijuesve që duan të jenë pjesë e këtij eventi prestigjioz të aplikojnë brenda ditës së sotme.

Ndërkaq, në muajin tetor pritet të publikohet edhe lista me emrat e artistëve pjesëmarrës që janë kualifikuar.

Stafi drejtues i Festivalit kujton se aplikimi bëhet vetëm përmes email-it zyrtar [email protected] dhe çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:

  • Këngën e plotë në formatin MP3;
  • Orkestralen bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;
  • Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;
  • Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);
  • Datëlindjen, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;
  • Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet në festivale si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);
  • Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;
  • Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;
  • Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;
  • Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me Stafin e Festivalit.

Një element i veçantë i këtij edicioni është se këngët e krijuara me ndihmën e Inteligjencës Artificiale do të skualifikohen menjëherë.

Festivali i Këngës në RTSH mbetet prej dekadash skena më prestigjioze e muzikës së lehtë shqiptare, duke i dhënë fituesit mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme