Në Natën Nostalgjike të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, anëtarët e jurisë ndanë emocionet dhe reflektimet e tyre për rëndësinë e këtij eventi muzikor.
Kompozitori Zef Çoba vlerësoi festivalin si ngjarjen më të madhe artistike të vitit në Shqipëri, që shpreh arritjet më të mira në krijimtarinë muzikore dhe interpretimin vokal e instrumental.
“Festivalin e konsideroj ngjarjen më të madhe artistike që zhvillohet në Shqipëri çdo vit. Kjo shihet nga të gjithë shqiptarët, jo vetëm në vend, por edhe në botë. Festivali është një sintezë arritjesh artistike, si në fushën e krijimtarisë muzikore dhe poezisë, ashtu edhe në interpretimin instrumental me orkestrën e mrekullueshme të RTSH-së dhe në mënyrë të veçantë nga artistët vokalë. Në këto vite, evolucioni i vokalit ka arritur nivele shumë të mira. Festivali është gjithashtu një spektakël i bukur, ku magjia e skenës e bën përvojën të paharrueshme,” tha Çoba.
Ndërkohë, kompozitori Valentin Veizi riktheu emocionet e tij pas 28 vitesh.
“Unë vij në këtë sallë pas 28 vitesh. Ka këngë shumë të bukura dhe ajo që dua të theksoj është se nuk imponojmë publikun të mësojë këngën tonë. Jam i bindur se nga ky festival do të dalin këngë që publiku do të zgjedhë t’i këndojë dhe t’i mbajë në zemër”, tha ai.
Juria vlerësoi emocionin që ky festival vazhdon të sjellë tek artistët dhe publiku shqiptar, duke e bërë çdo natë të tij një përvojë të paharrueshme muzikore.









