Finlanda mbyll kufirin për turistët rusë

Finlanda do të mbyll kufirin e saj për turistët rusë, duke qenë fqinji i fundit i Moskës në BE që e bën këtë veprim. Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania i mbyllën kufijtë e tyre për turistët rusë në fillim të këtij muaji.
“Por rusët do të lejohen të vizitojnë familjet ose për punë, si dhe studime në Finlandë,”- tha ministri i Jashtëm. Vendimi vjen pasi numri i rusëve që po mbërrinin në kufi u rrit, pas thirrjes për 300,000 rezervistë ushtarakë nga Presidenti, Vladimir Putin.
Radhët janë krijuar në pikat kufitare, ndërsa njerëzit po përpiqen të ikin, duke krijuar radhë të gjata në kufirin e Rusisë me Gjeorgji, e cila nuk kërkon viza për udhëtim. Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë, e cila kërkon viza, raportoi një rritje të fluksit të njerëzve që po përpiqen të kalojnë kufirin pas mobilizimit të pjesshëm.
Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha në një konferencë për shtyp se urdhri i mobilizimit kishte “ndikim të rëndësishëm” në vendimin e tij për mbylljen e kufijve. Masa hyjnë në fuqi në mesnatë, duke ndaluar rusët me viza turistike Shengen që të hyjnë në vend.
Haavisto tha se fluksi i rusëve shihej si një rrezik për marrëdhëniet ndërkombëtare të Finlandës. Rusët që vizitojnë Finlandën tani do të duhet të aplikojnë për vizë në një qendër në Rusi, me një ftesë qoftë edhe nga një kontakt biznesi ose personal. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




