FOTOT/ Policia amerikane ndjekje masive për një vrarës të arratisur nga burgu, mbyllen rrugët dhe shkollat

Botë | 3 vite më parë

Banorët e një komuniteti në periferi të Filadelfias u mbyllën në shtëpitë e tyre dhe një distrikt shkollor anuloi mësimin, pasi autoritetet raportuan se po i afroheshin një vrasësi në arrati, i cili i ka shpëtuar kapjes prej gati dy javësh.

Danelo Soza Kavalkante (Danelo Souza Cavalcante) hyri në një garazh të hënën vonë në veriperëndim të Filadelfias. Aty ai vodhi një pushkë dhe iku kur pronari i shtëpisë nxori një pistoletë dhe qëlloi mbi të, tha nënkoloneli i Policisë së Shtetit të Pensilvanisë në një konferencë shtypi të martën në mëngjes.

Policia e Shtetit postoi në mediat sociale se departamenti po ndiqte Kavalkanten në South Coventry Toënship, rreth 32 kilometra në veri të burgut Chester County, nga i cili ai u arratis më 31 gusht. Policia paralajmëroi se Kavalkante ishte i armatosur dhe se nuk i duhej afruar.

Rreth 500 oficerë po kërkojnë ose ruajnë një zonë prej 50 kilometrash të Filadelfias, tha Bivens.

Rreth orës 22:10, Kavalkante hyri në garazh dhe u largua pasi pronari i shtëpisë qëlloi në drejtim të tij, tha Bivens. Më shumë oficerë po thirren për të siguruar zonën e kërkimit. Policia ka mbyllur rrugët dhe ka vendosur pika kontrolli për automjetet, tha Bivens, i cili shtoi se nuk ka asnjë arsye të besohet se Kavalkante është i plagosur.

“Ne do të gjurmojmë në mënyrë aktive derisa ta gjejmë atë,” tha Bivens.

Të paktën një distrikt shkollor tha të martën se do të mbyllte të gjitha shkollat ​​dhe zyrat, ndërsa një tjetër në zonë ka planifikuar t’i mbajë studentët Brenda shkollës. Policia mbylli rrugët në zonën e kërkimit. Video nga një bllokim rrugësh tregoi oficerët e zbatimit të ligjit duke ndaluar dhe kontrolluar automjetet që largoheshin nga zona.

Bivens tha se policia e shtetit është e autorizuar të përdorë forcën vdekjeprurëse nëse Kavalkante nuk dorëzohet.

Kavalkante, 34 vjeç, iku nga burgu i qarkut Chester, Pensilvani, ndërsa priste transferimin në një burg shtetëror për të vuajtur një burgim të përjetshëm për vrasje me thikë të ish- të dashurës në vitin 2021.

Edhe në Brazil, prokurorët në shtetin Tocantins thanë se Kavalkante akuzohet për “vrasje të kualifikuar të dyfishtë” në vitin 2017 në komunën e Figueiropolis, për një borxh që viktima i kishte për riparimin e një automjeti.

Autoritetet amerikane e përshkruan Kavalkanten si jashtëzakonisht të rrezikshëm. Një shpërblim prej 25,000 dollarësh ofrohet për çdo informacion që çon në kapjen e tij. AP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme