Franca dhe Gjermania rinovojnë aleancën, mes tensioneve të luftës në Ukrainë

Botë | 4 vite më parë

Franca dhe Gjermania po përpiqen të kapërcejnë dallimet e dala në pah nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ndërsa festojnë miqësinë e tyre disavjeçare në një ditë bisedimesh të zhvilluara sot, mbi sigurinë, energjinë dhe sfidat e tjera të Evropës.

I gjithë Kabineti i Gjermanisë është në Paris për takime të përbashkëta dhe 300 ligjvënës nga të dy vendet po mblidhen në Universitetin e Sorbonës për të shënuar 60 vjetorin që kur një traktat historik vulosi një lidhje midis armiqve të vjetër ku  mbështetet Bashkimin Evropian i sotëm.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, do të mbikëqyrin të dy raundet e bisedimeve në Pallatin Elysee, duke u fokusuar fillimisht në politikën energjetike dhe ekonomike, dhe më pas në atë të mbrojtjes.

“Le të përdorim miqësinë tonë të pandashme, për të formuar të tashmen dhe të ardhmen e kontinentit tonë, së bashku me partnerët tanë evropianë,”- tha Scholz në ceremoninë në Sorbonë.

Pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, projekti evropian i paqes është në një “pikë kthese”, tha ai.

“Imperializmi i Putinit nuk do të fitojë. Ne nuk do të lejojmë që Evropa të kthehet në një kohë kur dhuna zëvendësoi politikën dhe kontinenti ynë u copëtua nga urrejtja dhe rivalitetet kombëtare.”

Macron shtoi: “Mbështetja jonë e pandërprerë për popullin ukrainas do të vazhdojë në çdo fushë”.

Të dy vendet kanë kontribuar me armë të konsiderueshme në Ukrainë, por Ukraina po kërkon tanke dhe armë më të fuqishme ndërsa lufta e Rusisë po zvarritet.

Lufta ka ekspozuar dallimet në strategjinë midis dy vendeve, veçanërisht në bisedimet evropiane se si të trajtonë krizën energjetike që rezulton me rritje të inflacionit, si dhe për investimet e ardhshme ushtarake.

Macron bëri thirrje për “një model të ri energjie” në BE bazuar në diversifikimin e furnizimeve dhe inkurajimin e prodhimit të energjisë pa karbon.

Përveç Ukrainës, një prioritet kryesor për takimin është përpunimi i përgjigjes së Evropës ndaj subvencioneve për prodhuesit e makinave elektrike amerikane, si dhe bizneset e tjera lidhur me Aktin e Reduktimit të Inflacionit të administratës Biden, sipas zyrtarëve të lartë francezë dhe gjermanë.

Franca dëshiron që Evropa të kundërshtojë atë që ajo e konsideron një veprim të padrejtë nga Uashingtoni. 

Parisi po shtyn që BE të lehtësojë rregullat mbi subvencionet shtetërore në mënyrë që të përshpejtojë shpërndarjen e tyre, të thjeshtojë mbështetjen e bllokut për investimet dhe të krijojë një fond sovran të BE-së për të nxitur industritë e gjelbra. 

Berlini, megjithatë, paralajmëron kundër proteksionizmit.

Takimet e qeverisë franceze-gjermane mbahen zakonisht të paktën një herë në vit për të koordinuar politikat. E fundit u mbajt në maj 2021 përmes videokonferencës për shkak të pandemisë COVID-19.

Mbledhja e së dielës është takimi i parë personal që nga viti 2019. Fillimisht ishte planifikuar për tetor, por u vonua për shkak të divergjencave për çështjet përfshirë energjinë, mbrojtjen dhe ekonominë. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme