Frontex lëshon alarmin: Anija me 500 emigrantë po mbytet! Rojat bregdetare italiane nisin operacionin e shpëtimit

Frontex ka dhënë alarmin për shpëtimin e një varke me të paktën 500 emigrantë në bord, e cila po përmbytet në ujërat e Mesdheut. Sinjali u dha nga ”Alarm Phone” , shërbimi telefonik që merr kërkesa për shpëtim në det, që është kontaktuar nga emigrantët.
“Jemi në kontakt me rreth 500 persona në një varkë e nisur nga Libia dhe ka dhënë sinjalin për ndihmë. Kemi lajmëruar autoritetet kompetente. Mos humbisni kohë, dërgoni menjëherë ndihmë”, thuhet në llogarinë në Tëitter të Alarm Phone.
Rojat bregdetare italiane kanë nisur një varkë patrullimi, CP235, që u nis nga Pozzallo për një operacion shpëtimi në det. Alarmi u dha në orën 9 të mëngjesit, ndërsa në varkën me emigrantë ka shumë gra dhe fëmijë, raporton La Repubblica.
Një avion i Frontex ka parë nga ajri anijen e peshkimit me emigrantë, ndërsa drejt saj është nisur edhe një helikopter i marinës amerikane.
Edhe kreu i misionit të Mesdheut “Saving Humans”, Luca Casarini kërkoi gjithashtu ndërhyrjen e menjëhershme të rojës bregdetare:
“Autoritetet ka të gjitha informacionet prej disa orësh. Kjo është një situatë ankthi. Ne kërkojmë të dërgoni mjetet ajrore dhe detare të rojës bregdetare që të shpëtojë emigrantët. Janë me dhjetëra gra dhe fëmijë në bord, ndërsa vetë emigrantët po sinjalizojnë se anija po fut ujë. Nuk ka asnjë minutë për të humbur”, tha ai.
Operacioni i shpëtimit është ende në zhvillim, ku detaje të reja do të këtë në orët në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




