Fshati Lin shpallet “Ansambël Arkitektonik Urban”, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

Aktualitet | 11 muaj më parë

Fshati piktoresk i Linit është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe tashmë është përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si pjesë e “Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit”.

Ky status i ri përfaqëson një vlerësim të veçantë për peizazhin unik të Linit, ku ndërthuren në mënyrë harmonike trashëgimia kulturore dhe ajo natyrore. Fshati ruan strukturën tradicionale urbanistike me rrugica karakteristike prej kalldrëmi, ndërsa arkitektura vernakulare pasqyron teknika ndërtimi dhe materiale vendase, të përshtatura mjeshtërisht me klimën dhe resurset lokale.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

“MIRËMËNGJES dhe nga fshati i bukur i Linit që sapo është shpallur ‘Ansambël Arkitektonik Urban’, duke u përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Shpallja e Linit si pjesë e Trashëgimisë Botërore përbën një tjetër njohje ndërkombëtare për vlerat historike, arkitektonike dhe natyrore të zonës së Pogradecit.

Lini mbetet një nga destinacionet më piktoreske të Shqipërisë, që dëshmon lidhjen e ngushtë mes njeriut, traditës dhe natyrës në brigjet e liqenit më të vjetër të Evropës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme