Gaza kalon bilancin e kobshëm të 25 mijë viktimave pas më shumë se 3 muajsh luftë

Botë | 3 vite më parë

Autoritetet gazane njoftuan të dielën se kanë kaluar bilancin e kobshëm të 25 mijë viktimave që nga fillimi i luftës mbitremujore me Izraelin.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, Ashraf al-Kudra, deklaroi se 178 banorë raportohen të vrarë vetëm në 24 orët e fundit nga bombardimet e pandërprera të palës izraelite. Shumica prej viktimave janë fëmijë dhe gra, sipas autoriteteve.

Sulmi i Izraelit nisi më 7 Tetor, kur militantë të Hamasit kapërcyen kufirin duke vrarë mbi 1.100 izraelitë, ndërsa rreth 250 u morën peng. Sipas Tel-Avivit, më shumë se 130 pengje janë ende në territorin gazan.

Gjatë një daljeje për mediet, zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit raportoi se zbuluan një tunel ku dyshohet se ishin strehuar një pjesë e pengjeve.

Në fundjavë mijëra qytetarë izraelitë dolën sërish në protesta duke kërkuar lirimin e të afërmve dhe zgjedhje të reja për të larguar kryeministrin Benjamin Netanjahu nga pushteti.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka deklaruar se prej nisjes së luftimeve, rreth 1,7 milionë banorë janë shpërngulur nga Gaza. Një milion po jetojnë në zonën e Rafahut, ku është kërkuar ndërhyrje urgjente për shkak të zisë së bukës dhe përhapjes së sëmundjeve. /AJ, AFP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme