Gjermanët ngrihen kundër ultradjathtistëve të AfD për deportimin e emigrantëve

Europë | 3 vite më parë

Në Gjermani po shtohen protestat kundër partisë ultradjathtiste “Alternativa për Gjermaninë’ (AfD) pas publikimit të një raporti se ka në planin e vet politik deportimin në masë të shtetasve të huaj.

Fluksi i protestuesve në Mynih të dielën ishte aq i madh sa organizatorët u detyruan të anulojnë marshin e parashikuar për arsye sigurie. Sipas organizatorëve, numri arrinte në 50 mijë, dyfishi i shifrës të të regjistruarve për protestë. Sipas policisë, shifra mund të arrinte deri në 100 mijë.

Ndërkohë një ditë më parë më shumë se 200 mijë qytetarë u bënë bashkë në dhjetëra qyteteve e pika më të vogla duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Jashtë nazistët!”.

“Gjermania po shkon frikshëm drejt së djathtës, siç ndodhi gati para Luftës së Dytë Botërore. Nuk mendoj se ka qenë kaq keq që prej asaj kohe… Shpresojmë që të bindim njerëzit se duhet të ndërrojnë mendim. Disa mund të mos jenë ende të sigurt se kë do të votojnë, por pas këtyre demonstratave, është e thjeshtë: jo AfD-në,” u shprehën protestuesit për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Media investigative “Correctiv” publikoi më 10 janar lajmin se pjesëtarë të AfD-së në muajin nëntor kishin diskutuar për përjashtimin e emigrantëve dhe të “qytetarëve që nuk e kanë përvetësuar” kulturën gjermane.

Mes pjesëmarrësve ekstremistë raportohet se ishte edhe Martin Sellner, lideri i Lëvizjes Identitare në Austri, mbështetësit e të cilit besojnë teorinë konspirative se emigrantët me ngjyrë do të zëvendësojnë popullatën tradicionalisht të bardhë të Europës.

Ultradjathtistët gjermanë po rriten në sondazhet e fundit, në një kohë kur Gjermania Lindore po bëhet gati për tre zgjedhje të rëndësishme rajonale.

Javën e kaluar kancelari Olaf Sholc (o. Scholz) iu bashkua demonstratave duke thënë se plani për të larguar emigrantët “është sulm kundër demokracisë, pra edhe kundër nesh“. /AFP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme