Gjirokastra dhe turizmi historik, personalitetet e zonës me ndikim botëror tërheqin studiues dhe turistë
Sipas studiuesve të historisë, Gjirokastra duhet të përqendrojë më shumë vëmendjen tek turizmi historik. Qyteti ka qenë vendlindja e shumë personaliteteve të njohura, të cilët kanë lënë gjurmë jashtë Shqipërisë, në vende të ndryshme të Europës dhe Ballkanit.
Ky aspekt i pasurisë kulturore ofron mundësi të rëndësishme për zhvillimin e turizmit, duke tërhequr studiues, turistë dhe njerëz të interesuar për historinë dhe trashëgiminë kulturore të zonës.
“Kemi shumë personalitete të cilët janë nga Gjirokastra, por aktivitetin e tyre e kanë patur jashtë Shqipërisë. Një pol i rëndësishëm i zhvillimit të turizmit në pjesën e historisë është edhe që njerëz të ndryshëm, studiues të ndryshëm të cilët kanë nevojë të informohen për personazhe të ndryshëm, ta marrin këtë informacion përmes organizimit të ekspeditave apo takimeve të ndryshme dhe kjo do të tërheqë më shumë njerëz drejt qytetit të gurtë”, u shpreh Niko Kotherja, studiues i historisë.
Sipas studiuesit të historisë Niko Kotherja, sa më të kualifikuara të jenë ambientet muzeale, bibliotekat dhe sallat e arkivit, aq më të sakta dhe objektive do të jenë studimet për të kaluarën e Gjirokastrës prej tyre.
“Sa më të kualifikuara të jenë ambiente e muzeumeve, të cilat kanë nevojë edhe për një sallë arkivi apo një sallë biblioteke, këto premtojmë që të kemi studime edhe më të mira edhe më objektive të ngjarjeve apo personazheve historikë”, theksoi Kotherja.
Investimet në infrastrukturën kulturore premtojnë një pasqyrë më të qartë dhe më reale të historisë së qytetit, duke e bërë Gjirokastrën jo vetëm një destinacion turistik, por edhe një qendër të rëndësishme studimore dhe kulturore.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





