Gjirokastra gati për sezonin turistik 2026, oferta të reja për eksperienca autentike për vizitorët

Aktualitet | 8 muaj më parë

Mediat ndërkombëtare kanë rekomanduar Shqipërinë si një nga destinacionet më tërheqëse për pushimet e këtij viti, ndërsa Gjirokastra po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një ndalesë e rëndësishme për turistët që kërkojnë histori, kulturë dhe përvoja autentike.

Këtë sezon turistik synohet me një ofertë të re, sipas operatorëve turistikë, ku vëmendja do jetë në turizmin e përvojës dhe turistët të përfshihen në aktivitete që lidhen me traditat lokale, gastronominë karakteristike dhe jetën e përditshme të banorëve.

“Lidhur me numrin e rezervimeve që kemi deri më tani, flasim për muajt prill dhe maj. Rezervimet janë 2 deri në 3-ditore, të kombinuara jo vetëm me pjesën e turizmit dhe UNESCO-s, që është pjesa e pazarit, por po vërejmë që turistët duan të bëjnë gjëra interesante, siç janë turet astronomike, ato të aventurës dhe të tjera”, tha  Vasil Garro, operator turistik.

Udhërrëfyesit turistikë theksojnë se risi për këtë vit janë edhe paketat turistike të personalizuara, që kombinojnë kulturën me natyrën, duke përfshirë zona përreth si Zagoria, Lunxhëria dhe Dropulli.

“Më e preferuar është pjesa e Zagorisë, e cila është e pasur nga ana fetare, do të thoja, sepse ka shumë kisha. Pas saj vjen lugina e Dropullit”,  tha Dini Mosho, udhërrëfyes turistik.

Në këtë mënyrë, qyteti i gurtë kërkon të ruajë identitetin e tij historik, duke iu përshtatur njëkohësisht kërkesave të reja të turizmit modern.

Gazetare : E. Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme