Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor, Qeveria në përputhje me Kushtetutën

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Vendimi është marrë këtë të mërkurën, më 23 shtator, pas shqyrtimit të kërkesës së PDK lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, vendimit procedural për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, konstatimit për konstituimin e Legjislaturës së 11-të, si dhe vendimit për zgjedhjen e Qeverisë.
Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë. Sipas aktgjykimit, kalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, në rastin kur posti i Presidentit është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit i 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës, i cili përcakton procedurën për zgjedhjen e Qeverisë duke e cilësuar atë të ligjshme.
Në aktgjykim, Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët e Kuvendit, sa më parë, të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me Kushtetutën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




