Gjyqtarët i përgjigjen Ramës për pagat, Sadushi:  Dialogu nuk zëvendëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Aktualitet | 38 minuta më parë

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, e konsideron të pamundur negocimin e çështjes së pagave të magjistratëve, për sa kohë ligji dhe pretendimet për kushtetutshmërinë e tij janë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Qëndrimi i tij vjen pas ftesës së kryeministrit Edi Rama për një tryezë dialogu me magjistratët, duke vënë theksin te respektimi i procesit dhe vendimmarrjes kushtetuese.

“Për mosmarrëveshjen rreth ligjit për pagat e magjistratëve është Gjykata Kushtetuese që do të vendosë përfundimisht. Kushtetuta nuk negociohet. Për sa kohë ligjet dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër”, tha Sadushi.

Sadushi sqaroi se kjo nuk nënkupton mbylljen e dialogut, por respektimin e kompetencave të secilës palë dhe diskutimin mbi bazën e argumenteve, pa ndërhyrë në vendimmarrjen e njëra-tjetrës.

“Kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbrojë dialogun institucional. Ndarja e pushteteve nuk nënkupton mungesën e dialogut ndërmjet tyre. Dialogu institucional megjithatë kërkon më shumë se uljen e palëve në një tryezë. Ai duhet të ketë një objekt të qartë, të respektojë kompetencat e secilit dhe të mbështetet në një bazë juridike të përbashkët. Dialogu nuk është nënshtrim, ai është mënyra institucionale për të mbrojtur qëndrimin me argumente, për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe për të kërkuar hapësirën e bashkëpunimit që Kushtetuta lejon. Ne duhet të jemi po aq të qartë edhe për kufijtë e këtij dialogu”, theksoi Sadushi.

Pas miratimit në Kuvend të formulës së re, që sjell një rritje prej rreth 2 për qind, shumë më pak se kërkesa e magjistratëve, çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ku pritet të vlerësohet përputhshmëria e formulës së re me standardet kushtetuese.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme