Greqia masa ndaj fluksit të emigrantëve, luftë kibernetike kundër trafikantëve të qenieve njerëzve

Greqi | 1 vit më parë

Përpjekja që Athina ka bërë javët e fundit për të kufizuar flukset migratore është zhvendosur edhe në mediat sociale. Qeveria greke zbuloi se rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore po nxisin rritjen e fluksit të emigrantëve nga Libia lindore në Kretë duke përhapur informacione të rreme në internet. Sipas saj postimet në mediat e ndryshme sociale në grupe të mbyllura u rritën deri në 50% vetëm në gjysmën e parë të korrikut.

Trafikantët u dërgojnë mesazhe emigrantëve të mundshëm në Libi në tekstet e të cilave thuhet se Tunizia ka mbyllur rrugët drejt Lampedusas në Itali, ndërsa trajtimi i emigrantëve që mbërrijnë në atë shtet është i keq dhe së treti Greqia ofron përvojë ndryshe nga Italia si një destinacion miqësor dhe i sigurt për shkak të afërsisë dhe motit të mirë gjatë verës.

Trafikantët përdorin edhe pamje video përmes të cilave emigrantë të parregullt i paraqesin udhëtimet me anije drejt Kretës si të thjeshta dhe pritjen nga autoritetet greke pa probleme. Gjë që sipas tyre e bën Greqinë të dukej për dhjetëra mijëra emigrantë potencialë të mbledhur në brigjet e Libisë si opsioni i tyre i vetëm i arritshëm.

Athina reagoi duke përdorur të njëjtat rrjete sociale për të përhapur informacion të saktë në lidhje me “korridorin jugor” për në Greqi, veçanërisht duke i mëshuar faktit se ka hyrë në fuqi një pezullim tremujor i përpunimit të aplikimeve për azil. “Greqia nuk është një vend ideal për të ardhur si emigrant”, u shpreh ministri i Migracionit Thanos Plevris.

Fushata e fundit e autoriteteve greke synon vendet ku veprojnë rrjetet e organizuara të kontrabandës së qenieve njerëzore, ndërsa mesazhet dhe videot në platforma të njohura si YouTube, TikTok, Instagram dhe Facebook, ku tregohet situata reale në Greqi, synojnë që të pengojnë migrimin e shtetasve nga Libia, Egjipti, Sudani dhe Pakistani.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme