Zjarret e fuqishme djegin dhjetëra shtëpi në jug të Athinës. Arrestohet një gjeorgjiane e dyshuar për vatrën në ishullin Kios

Greqi | 1 vit më parë

Një zjarr i madh ka përfshirë zonën e Palaia Fokaias, 40 kilometra në jug të Athinës, duke u përhapur mes dhjetëra banesave dhe duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa urgjente evakuimi.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, forcat zjarrfikëse po përballen me flakët nën kushte të vështira për shkak të erërave të forta dhe temperaturave që arrijnë deri në 40 gradë. Autoritetet kanë lëshuar urdhër për evakuimin e banorëve në katër vendbanime aty pranë.

CNN grek shkruan se në operacion janë angazhuar 130 zjarrfikës, 5 ekipe komando pyjore, 12 avionë dhe 12 helikopterë. Në terren ndodhen gjithashtu zjarrfikës vullnetarë, autocisterna bashkiake dhe mjete të rënda.

Televizioni grek shfaqi një helikopter duke hedhur ujë, teksa shtëllunga të mëdha tymi shiheshin në mbarë zonën.

Në fillim të javës, mijëra hektarë u shkrumbuan në Kios, ishulli i pestë më i madh i Greqisë. Një grua nga Gjeorgjia u arrestua të mërkurën me dyshimin se e ndezi qëllimisht zjarrin duke hedhur një cigare.

Në vitet e fundit, Greqia e ka ndier ndikimin ekonomik dhe mjedisor pas shpërthimeve të shpeshta të vatrave të zjarrit dhe vërshimeve. Sipas shkencëtarëve, këto ngjarje janë shpeshtuar për shkak të ndryshimeve klimatike. Shteti grek ka shpenzuar qindra miliona euro për të kompensuar qytetarët dhe fermerët për dëmet e shkaktuara nga ngjarjet që lidhen me motin ekstrem.

Greqia e ka rritur numrin e zjarrfikësve në një rekord prej 18.000 këtë vit, teksa pret që të përballet me një sezon të vështirë zjarresh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme