Hapen regjistrimet për kursin e trajnerit të licencës UEFA B në Fier

Federata Shqiptare e Futbollit njofton hapjen e regjistrimeve për kursin e trajnerit UEFA B, i cili do të zhvillohet në qytetin e Fierit, duke nisur nga data 5 tetor 2026.
Kursi është pjesë e programit të edukimit dhe licencimit të trajnerëve të FSHF-së dhe synon të krijojë mundësi të mëtejshme për zhvillimin profesional të trajnerëve dhe ish-lojtarëve që dëshirojnë të ndjekin rrugën e licencimit të UEFA-s.
Një mundësi e veçantë parashikohet për ish-lojtarët profesionistë me përvojë të gjatë, të cilët kanë zhvilluar të paktën shtatë sezone të plota në divizionin më të lartë ose në një ligë plotësisht profesionale. Këta kandidatë mund të aplikojnë për Kursin UEFA B pa qenë të pajisur me licencën UEFA C dhe pa pasur përvojën gjashtëmujore si trajner.
Kalendari i kursit
Kursi UEFA B do të zhvillohet sipas këtij kalendari:
- 5–9 tetor 2026
- 2–6 nëntor 2026
- 16–20 nëntor 2026
- 30 nëntor–4 dhjetor 2026
- 21 dhjetor 2026 – Provimi përfundimtar
- 24 dhjetor 2026 – Ceremonia e diplomimit
Dokumentacioni i kërkuar
Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
- Diplomën e shkollës së mesme, minimumi;
- Licencën UEFA C dhe vërtetimin se kanë qenë aktivë si trajner ose zëvendëstrajner gjatë 6 muajve të fundit, vetëm për kandidatët që nuk janë ish-lojtarë profesionistë;
- Vërtetim nga klubi ose institucioni ku janë të angazhuar;
- Fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës;
- Numër kontakti dhe CV.
Mungesat gjatë kursit nuk duhet të tejkalojnë 10% të totalit të orëve mësimore.
Dokumentacioni i kërkuar duhet të dërgohet në mënyrë elektronike. Pas verifikimit administrativ të dokumentacionit, kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të përzgjedhjes nga Komisioni i Vlerësimit dhe Pranimit, i cili do të vendosë mbi pranimin në Kursin UEFA B.
Afati i fundit për paraqitjen e aplikimit është 25 shtator 2026. Aplikimet e dorëzuara pas këtij afati nuk do të merren në shqyrtim.
Mënyrat e aplikimit
Kërkesa për regjistrim mund të dorëzohet në një nga format e mëposhtme:
Email: [email protected]
Me postë, me konfirmim marrjeje, në adresën:
Rr. Liman Kaba, Nd. 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë
Dorëzim fizik pranë Sekretarisë së Shkollës, në të njëjtën adresë.
Për çdo informacion shtesë lidhur me procedurën e përzgjedhjes, organizimin dhe aspektet logjistike të kursit, kandidatët mund të kontaktojnë Sekretarinë e Shkollës në adresën [email protected].
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




