Hapet konkursi “ICT Clubs”, marrin pjesë 450 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme
Mbi 450 nxënës nga 10 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të bashkisë Korçë janë pjesë e konkursit ICT Clubs i cili vjen këtë vit në edicionin e tij të tretë. Gjatë konkursit, nxënësit do të prezantojnë ide dhe projekte në fusha të ndryshme të teknologjisë, duke promovuar mendimin kreativ, bashkëpunimin dhe zgjidhjen e problemeve përmes teknologjisë.
“Të rinjtë me idetë e tyre shkojnë përtej çdo imagjinate, nuk mund të flasim për ide të lokalizuara as në Korçë dhe as në Shqipëri, këto janë ide globaliste që zhvillohen dhe të gjithë këto fëmijë mund ti kenë fillimet e tyre shumë të suksesshme në të gjithë botën”, u shpreh Hatixhe Bilibashi, Themeluese e Albanian ICT Academy.
Programi ICT Clubs është një platformë edukative që u ofron nxënësve mundësinë të zhvillojnë njohuri dhe aftësi në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, përmes aktiviteteve praktike, projekteve inovative dhe punës në grup.
“Ne synojmë që nëpërmjet këtij projekti të nxitim nxënësit që të kenë një mendim kritik për të identifikuar problematika të ndryshme që shqetësojnë komunitetin”, u shpreh Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë Korçë.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Bashkisë së Korçës për të mbështetur edukimin digjital dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për të rinjtë e Korçës, duke i përgatitur ata për sfidat dhe profesionet e së ardhmes në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





