Hetimet për lidhjen me Ergys Agasin, SPAK pyeti më herët Vlora Hysenin. Kreu i SHISH konfirmoi bisedat si bashkëpunëtor i institucionit

Aktualitet | 49 minuta më parë

Një ditë pas firmosjes së masave të sigurisë “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga detyra” të ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, masa që u ekzekutuan mbrëmjen e së martës, detaje të reja mësohen nga të dhëna jo zyrtare të prokurorisë së posaçme.

Sipas tyre, jo më larg se pesë ditë më parë, prokurorët e çështjes e kanë marrë në pyetje Vlora Hysenin, si person në dijeni, lidhur me Ergys Agasin.

Hyseni ka deklaruar se ka biseduar në telefon me Agasin, në cilësinë e bashkëpunëtorit të Shërbimit Infomativ Shtetëror, por nuk e ka takuar asnjëherë ish-zyrtarin.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse prokurorët i kanë vënë përpara prova, të cilat mund të faktonin takimin mes tyre, pasi ka të dhëna, se oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë administruar fotografi dhe video të disa takimeve mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit.

Po sipas këtyre të dhënave, disa prova të rëndësishme të bashkëpunimit të Hysenit me Agasin janë gjetur në aparatin celular të këtij të fundit, ku janë gjetur disa thirrje telefonike mes të dyve.

Pikërisht këto prova të administruara nga oficerët e BKH-së dhe dy prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, ishin faktet që ata çuan në gjykatën e posaçme për të marrë më pas miratimin për dy masat e sigurisë ndaj Hysenit për dy veprat penale.

Ndonëse jo zyrtarisht, të dhënat nga SPAK saktësojnë, se kërkesa nga dy prokurorët i është drejtuar gjykatës 10 ditë më parë.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme