Hita: Krimi nuk respekton kufijtë, siguria duhet t’i kapërcejë ato

Aktualitet | 1 orë më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me krimin e organizuar dhe kërcënimet ndërkufitare. Në fjalën e mbajtur në Konferencën e 42-të të Shoqatës së Ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter, Hita tha se zhvillimi i aktivitetit në Shqipëri është tregues i nivelit të bashkëpunimit dhe besimit të ndërtuar ndër vite nga Policia e Shtetit me agjencitë ligjzbatuese partnere në Evropë, SHBA dhe më gjerë. Jemi pjesë aktive për t’u përpjekur së bashku për të luftuar fenomenet kriminale që nuk njohin kufi”, u shpreh Hita, duke theksuar se rrjetet kriminale kanë shtrirje përtej kufijve shtetërorë, përdorin teknologjinë dhe lëvizin para, njerëz dhe aktivitete nga një shtet në tjetrin.

Sipas tij, përballja me këto fenomene kërkon shkëmbim në kohë të informacionit, ndarje të ekspertizës dhe forcim të besimit mes agjencive ligjzbatuese. Hita nënvizoi se këto elemente janë thelbësore për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit, ndërsa veçoi investimet e Policisë së Shtetit në modernizimin e strukturave dhe forcimin e kapaciteteve. Duke folur për rolin e Akademisë Kombëtare të FBI-së, Hita vlerësoi komunitetin profesional të krijuar ndër vite përmes këtij institucioni dhe rëndësinë e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Policia e Shtetit ka investuar në modernizimin e strukturave, digjitalizimin e shërbimeve, analizën e të dhënave, hetimin kibernetik, strukturat operacionale dhe ato të antiterrorit. Akademia Kombëtare e FBI-së ka krijuar ndër vite një komunitet profesionistësh që tejkalon kufijtë dhe që e sheh sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi gjithashtu rezultatet e operacioneve të përbashkëta me FBI-në, DEA-n, Europolin, Interpolin dhe agjenci të tjera ligjzbatuese kombëtare e ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si dëshmi të bashkëpunimit dhe profesionalizmit në rritje. Në fjalën e tij, Hita u ndal edhe te sakrifica e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Ai përmendi 232 efektivë të rënë në detyrë, duke theksuar dimensionin njerëzor të përballjes me kriminalitetin.

“Krimi nuk respekton kufijtë, ndërsa siguria duhet t’i kapërcejë ato”, theksoi Hita, duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi janë thelbësore për përballjen me kërcënimet kriminale ndërkufitare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme