Holanda do të ndalojë telefonat në shkolla, pengojnë mësimin dhe përqendrimin te fëmijët

Telefonat celularë do të ndalohen në klasa sepse ato pengojnë mësimin ka njoftuar qeveria holandeze. Nisma po prezantohet në bashkëpunim me shkollat dhe do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Do të ketë disa përjashtime, duke përfshirë studentët me nevoja mjekësore ose me aftësi të kufizuara dhe për klasat e fokusuara në aftësitë dixhitale.
“Edhe pse telefonat celularë janë pothuajse të ndërthurur me jetën tonë, ata nuk i përkasin klasës. Studentët duhet të jenë në gjendje të përqendrohen në mësim dhe t’u jepet çdo mundësi për të mësuar mirë. Ne e dimë nga kërkimet shkencore se telefonat celularë e prishin këtë” tha ministri i Arsimit Robbert Dijkgraaf.
Studime të ndryshme kanë zbuluar se kufizimi i kohës para ekranit lidhet me përmirësimin e njohjes dhe përqendrimit. Teknologji të tjera, duke përfshirë tabletët dhe orët inteligjente, përfshihen gjithashtu në kufizimin holandez në shkolla.
Njoftimi vjen pas një vendimi të ngjashëm nga Finlanda javën e kaluar. Qeveria njoftoi se do të ndryshojë ligjin për ta bërë më të lehtë kufizimin e përdorimit të telefonave në shkolla.
Vende të tjera, përfshirë Anglinë dhe Francën, kanë propozuar gjithashtu ndalimin e telefonave celularë për të përmirësuar mësimin citon BBC.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




