I dënuar për vrasje, Gjykata e Fierit shuan dënimin 25-vjeçar të Sokol Hoxhës, urdhërohet lirimi i menjëhershëm

Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Sokol Hoxhës për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit me 25 vite burg, të dhënë në vitin 2000 për vrasjen e dy vëllezërve Banaj. Me vendimin e shpallur më 12 tetor 2026, gjykata ka konstatuar shuarjen e dënimit dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij, nëse nuk mbahet i burgosur ose në paraburgim për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Kërkesa e Hoxhës u shqyrtua nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me gjyqtare Aurora Tushën. Ai u përfaqësua nga avokatët Toto Avdiaj dhe Rozeta Plaku, ndërsa prokuroria u përfaqësua nga Malbora Dine.
Në seancë, mbrojtja kërkoi pranimin e kërkesës dhe lirimin e menjëhershëm të Hoxhës nga burgu. Edhe prokuroria u shpreh në favor të saj, duke argumentuar se kishte kaluar afati 20-vjeçar i parashkrimit pa u ekzekutuar dënimi penal.
Sokol Hoxha ishte dënuar me 25 vite burg me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, të datës 19 maj 2000, i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë më 21 nëntor të po atij viti. Vendimi i sotëm parashikon që për ekzekutimin e urdhrit të lirimit të ngarkohet prokuroria pranë Gjykatës së Fierit. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga dita pas komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Hoxha, i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri më 6 gusht, ishte dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm nga drejtësia belge për vrasjen e Brunilda Dervishit. Vendimi i Gjykatës së Fierit lidhet vetëm me dënimin 25-vjeçar të dhënë nga drejtësia shqiptare. Ndërkohë për gjykimin në shtetin belg vendoset përmes Interpolit dhe shtetit belg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




